PDSH-ja, nuk e përkrah propozimin për Kodin Zgjedhor

Partia Demokratike Shqiptare nuk e përkrah propozimin për Kodin Zgjedhor, pasi që ky propozim nuk vjen si rezultat i dialogut të mirëfilltë mes të gjitha partive më relevante në vend, por është thjesht një marrëveshje mes VMRO-së dhe LSDM-së, në dëm të votës shqiptare, të cilën e përkrah edhe BDI.

“Kur jemi te BDI, nuk është për  t’u çuditur mendësia e hutuar që i ka kapluar këto ditë ata. Ministrat e tyre flasin ndërmjet veti maqedonisht, komunikatat për shtyp i lëshojnë në gjuhë maqedonase, i bashkojnë ambasadat me Serbinë, kërkojnë president konsensual, por ai të jetë maqedonas dhe çdo marrëveshje tjetër që arrijnë partitë maqedonase në dëm të shqiptarëve ata e paraqesin edhe si të tyren, pra konsensuale! Kjo ndodh edhe me këtë Kod Zgjedhor”, ka deklaruar deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, në koneferencën e sotme për shtyp.

Ai, konsideron se ky propozim i Kodit Zgjedhor aspak nuk garanton mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. 

Bekim Fazliu, ka potencuar edhe problemin me listat zgjedhore. Sipas tij, këto lista vazhdojnë të ngelin të pa pastruara nga votuesit fiktiv, ku sipas informatave që posedojnë, ka  mbi 100 mijë votues fiktiv maqedonas dhe nga ana tjetër bëhet fshirja e mijëra votuesve shqiptar nga listat zgjedhore.  

“Vota shqiptare vazhdon të jetë e pabarabartë me votën maqedonase edhe me propozimin për ridefinimin e kufijve zgjedhore të njësisë numer 6, ku disa vendvotime nga Dibra të njësisë zgjedhore numër 6 barten në njësinë zgjedhore numër 5. Edhe përkundër këtij ndryshimi, njësia zgjedhore numër 6 përseri mbetet me 20 mijë votues më tepër se sa njësitë zgjedhore numër 3 dhe 4”, ka theksuar Bekim Fazliu.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, thotë se në vazhdimësi ka alarmuar për vjedhjen e votës, falsifikimin e procesit zgjedhor, blerjen e votës, shantazhet dhe frikësimin e popullatës gjatë procesit zgjedhor të gjitha këto nga ana e BDI-së dhe për ta argumentuar këtë shërben falsifikimi i dokumentuar i rezultatit të zgjedhjeve të kaluara në Komunën e Çairit. 

Duke u bazuar në këto arsye që ka paraqitur, Bekim Fazliu, PDSH-ja, do të votojë kundër propozim ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të cilat do të futen në procedurë parlamentare./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button