Ulet një avion në zonën mes Laçit dhe Krujës, policia: Nuk ka drogë

Një avion i vogël është ulur paraditen e kësaj të enjteje në zonën mes Laçit dhe Krujës, në grykëderdhjen e Ishmit, në fshatin Godull.

Sipas burimeve policore, avioni është ulur për shkak të një defekti dhe nuk rezulton të ketë qenë me drogë në bord.

Megjithatë, uniformat blu po kryejën verifikimet dhe veprimet proceduriale, thonë burimet.

Nga të dhënat rezulton se avioni është i tipit “Piper” dhe drejtohej nga një pilot italian, i cili ka deklaruar se ka bërë ulje të detyruar për shkak të një defekti.

Piloti është dërguar në spitalin e Durrësit për të marrë trajtim mjekësor. Ai është identifikuar si Guido Andrea Guidi, 69 vjeç.

Njoftimi zyrtar i policisë për ngjarjen

Durrës. Rreth orës 08:45, Policia e Durrësit ka marrë një njoftim se në fshatin Godull, Njësia Administrative Ishëm është parë të ulet një avion i përmasave të vogla.

Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes ku është konstatuar i dëmtuar gjatë uljes një avion i përmasave të vogla, ndërsa piloti nuk kishte pësuar lëndime gjatë uljes.

Piloti i avionit është një shtetas italin, Guido Andrea Guidi, 69 vjeç. Në shpjegimet e para që jep ky shtetas thotë se është ngritur nga Bari dhe ka dashur të bëjë një udhëtim me destinacion veriun e Italisë.

Për shkak të kohës së bukur ka vendsour të kryejë një fluturim mbi det. Në lartësinë 4 000-5 000 këmbë ky shtetas deklaron se i ka dhënë defekt avioni.

Ka parë nga lartësia një tokë arë të punuar, të cilën e ka konsideruar vendin më të përshtatshëm për t’u ulur. Është përpjekur të ulet dhe gjatë uljes avioni ka pësuar dëmtime.

Piloti është shoqëruar në Spitalin Rajonal Durrës për një kontroll mjekësor, megjithëse nuk ka pësuar dëmtime. Është njoftuar Prokurori i gatshëm.

Gjate kontrollit në brendësi të avionit nuk është gjetur asnjë send i kundraligjshëm. Të gjitha Shërbimet kanë kryer krehjen e vendit ku është gjetur avioni dhe zonës përrreth. Policia po punon për zbardhjen e plotë të  rrethanave  e rastit në fjalë, njofton Top Channel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button