Nelson Mandela, trashëgimi 4,1 mln dollarëshe

Nelson Mandela ka lënë një pasuri afro 4,1 milionë dollarëshe për gruan e tij Graca Machel, anëtarët e tjerë të familjes, stafin, shkollat dhe Kongresin Kombëtar Afrikan, sipas një përmbledhjeje të testamentit të tij.

Dy muaj pas vdekjes së ish-kreut 95-vjeçar të Afrikës së Jugut, avokatët bënë të ditur gjatë së hënës se Graca Machel ka të ngjarë që të heqë dorë nga e drejta e saj për gjysmën e pasurisë, duke vendosur që në këmbim të marrë 4 prona në Mozambik dhe disa asete të tjera.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi se honoraret nga librat e tij dhe projektet e tjera, ashtu si dhe të ardhurat nga shtëpitë e tij në Johannesburg, Cape Toën, Qunu dhe Mthatha, janë lënë në dorë të një të besuari të familjes së tij, transmeton TCH.

Shtëpia në Houghton të Johannesburgut, ku Mandela ndërroi jetë më 5 Dhjetor, do të përdoret nga familja e djalit të tij të ndjerë, Makgatho.

“Është vullneti im, që ajo shtëpi të shërbejë gjithashtu edhe si një vend për mbledhjen e familjeve të Mandelës dhe Machel, në mënyrë që të ruhet për një kohë të gjatë bashkimi i tyre pas vdekjes sime”, ka shkruar Mandela.

Fëmijët e Mandelës kanë marrë secili nga 300 mijë dollarë hua, gjatë jetës së tij, dhe ky borxh nuk do të njihet më, nëse nuk do të jetë ripaguar. Testamenti i tij u shkrua fillimisht në vitin 2004 e më pas u modifikua në vitin 2008.

Zbatuesi i testamentit, Dikgang Moseneke, zëvendës/kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Afrikës së Jugut, tha se leximi i testamentit ndaj familjes së tij ishte i tejmbushur me emocione, teksa askush nuk e ka kontestuar atë deri më tani.

Trashëgimitë e tjera të Mandelës reflektojnë një jetë në politikë dhe përkrahjen për arsimim. Ai ka dhënë rreth 4500 dollarë për secilin prej anëtarëve të stafit të tij, përfshi ndihmësen prej një kohe të gjatë, Zelda la Grange.

Testamenti ofron gjithashtu rreth 9 mijë dollarë për secilin prej universiteteve, Wits dhe Fort Hare, si dhe të njëjtën shumë për 3 shkolla të tjera.

Kongresi Kombëtar Afrikan, të cilin Mandela e udhëhoqi drejt fitores së zgjedhjeve të para demokratike në vitin 1994, mund të marrë diçka rreth 10-30% të pasurisë së tij.

Të ardhurat “cash” do të përdoren veçanërisht për të promovuar “politikat dhe parimet e pajtueshmërisë mes popullit të Afrikës së Jugut”.

Lajme të ngjashme

Back to top button