Fushatë e egër parazgjedhore, urrjetje dhe incidente

Fjalor i urrejtjes dhe retorika e ashpër do të karakterizojnë edhe këtë fushatë parazgjedhore. Madje politikanët do të keqpërdorin të gjitha çështjet e ndjeshme vetëm për fitim e pikëve politike, vlerësojnë ekspertët.

“Nuk kemi arsye përse të presim dhe të shpresojmë për ‘fer play’ gjatë këtyre zgjedhjeve! Nëse caktohen në të njëjtën kohë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare kjo paraqet veç më një lloj manipulimi, që të fitohet shumica me çdo çmim. Do të keqpërdoret problemi i emrit, gjatë të cilit njëra palë do të jetë patriot, ndërsa të tjerët tradhtarë. Tashmë edhe në stendat reklamuese në Shkup, në të cilat Zaev u drejtohet qytetarëve se duhet të lakojnë kurrizin, flasin shumë se çfarë mund të presim”, thekson për Portalb, profesorja Mirjana Maleska.

“Retorika e zgjedhjeve ka për të qenë e ashpër, si asnjëherë deri më tani. Përplasjet do të jenë të pamëshirshme dhe fatkeqësisht mund të prodhojnë edhe incidente. Politika kaq ndarëse dhe vetjake e partisë në pushtet është shndërruar si një tullumbace që fryhet që nga viti 2006. Jo vetëm politika nacionaliste por mbi të gjitha edhe ngulja e rrënjëve të pushtetit në struktura biznesore, mediatike e civile do të shpërthejë sërish me tone nxitëse… Dhe për këtë, më shumë se sa vetë politika, askush nuk mund të mbajë përgjegjësi”, thekson Admir Qose, njohës i gazetarisë.  

Njohësit e politikës madje vlerësojnë se çështjet ndëretnike gjithashtu do të jenë një pikë tjetër e nxehtë që mund të çojë edhe në nxitjen e tensioneve.

“Anti-shqiptarizmi apo albanofobia gjithmonë është një ‘kartë fitimprurëse’, por për këtë një pjesë të fajit bart edhe BDI-ja. Opozita është e ndjeshme ndaj keqpërdorimeve në zgjedhje dhe nëse paraqiten do të bëjë problem”, shton profesorja Mirjana Maleska.
Nga ana tjetër Qose vlerëson se nuk do të mungojnë as manipulimet mediatike të cilat veçmë kanë filluar.

“Përdorimi i mediave në pushtet, si vegël gjatë fushatës, nuk ka për të na çuditur. Nuk do na çudisin ndoshta as fjalët e Llatasit që gjatë valës së azilkërkimit thoshte se “Lesi u kthye në shtëpi” e as tani, kur televizioni Sitel heton për radikalizëm islamik shqiptarësh nëpër burgje…. E nëse dikush varet për peri tek fjalët e Llatasit, e gjen lehtë burimin e problemit; ai është pushteti që për pikë politike gjatë fushatës do përdorë format më mizore propagandistike, duke qenë në dijeni edhe të dëmit të bashkëjetesës”, shton për Portalb, Admir Qose, njohës i gazetarisë.

Për Maleskën dhe Qosen, zgjedhjet e përbashkëta parlamentare dhe presidenciale do të shkaktojnë më shumë dëm se sa do të kontribuojnë për stabilitetin e shtetit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button