Shkup, nuk ka dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga tërmeti

Banorët të cilët pësuan dëme gjatë tërmeteve që ndodhën ditëve të fundit në Shkup, nuk do të marrin dëmshpërblime.

Deri më tani mbi 100 ankesa janë bërë nga qytetarët e Komunës së Çairit, të cilët në të shumën e rasteve kërkojnë dëmshpërblim.

“Është bërë një ngatërresë e madhe. Nuk është duke u bë vlerësimi i dëmeve të krijuara nga tërmeti por është duke u analizuar situata se shtëpitë dhe objektet e dëmtuara a përbëjnë rrezik për jetën e banorëve”, tha për Portalb, Rami Qerimi nga Komuna e Çairit.

Ai shtoi se ata që janë dëmtuar dhe nuk mund të jetojnë në shtëpitë e tyre sepse përbëjnë rrezik për jetën do të organizohet një mbledhje ku do të vendoset se ku do të qëndrojnë këta banorë.

“Dëme më të mëdha kanë shtëpitë e vjetra të cila nuk kanë mundur ta përballojnë këtë termet. Deri më tani janë paraqitur mbi 100 ankesa, mirëpo lusim qytetarët që vetëm ata që kanë dëme serioze të paraqiten dhe jo ata që nuk kanë në rrezik jetën. Më pas do të organizohet mbledhje ku do të vendoset se ku do të strehohen ata që u rrezikohet jeta nga dëmet. Sqarojmë edhe një herë se dëmshpërblime nuk bëhen”, shtoi Qerimi.

Qerimi tha se shtëpitë dhe ndërtesat e reja nuk kanë pësuar dëmtime.

Nga Qendra për menaxhim me kriza thonë se ekipe të Institutit për Inxhinieri të Tërmeteve (IZIIS) së bashku me komunat e Shkupit janë në terren duke bërë vlerësimin dëmeve të paraqitura dhe duke u analizuar siguria e objekteve në fjalë.

Ndryshe, një varg tërmetesh goditën Shkupin që prej ditës së diel kur u shënua një tërmet prej 5.3 shkallë të Rihterit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button