fbpx

Mosdeklarimi i kombësisë, hapsirë për manipulim dhe diskriminim

Në asnjë nga dokumentet shtetërore të Maqedonisë, nuk ka një rubrikë në të cilën shkruhet kombësia e qytetarit.

Opozita vlerëson se në këtë rast bëhet diskriminim ndaj nacionaliteteve posaçërisht ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Edhe pse heqja e kombësisë tek pasaporta, letërnjoftimi si dhe certifikata e lindjes është praktikë e BE-së në kontekstin e Maqedonisë, ku punësimet si dhe të drejtat e shqiptarëve kushtimitsht thënë varen nga kombësia e tyre, problemi është tejet më i thellë.

Nga radhët e RDK-së, Artan Dika bën të ditur se ky është një detaj që partia në pozitë e sheh të vogël por që është mjaft problematik në vendin tonë.

“Është e vërtetë që në asnjë dokument personal nuk shkruhet kombësia tek ne. Këtu mund të them një fjalë të vjetër popullore që Djalli qëndron tek detajet. Ekzistojnë shumë çështje të cilat nuk definohen me kushtetutë dhe nuk i kushtohet rëndësi sa duhet”, tha për Portalb, Dika.

“Heqja e kombësisë nga këto dokumente është praktikë e BE-së me qëllim që të mos bëhet diskriminim në bazë të nacionalitetit. Por megjithatë me ligj duhet rregulluar që sa paku në një dokument të shkruhet kombësia sepse po bëhen manipulime të shumta dhe secili në këtë kohë mund të deklarohet se çka është. Tani kombësia nuk po përcaktohet por po deklarohet” shtoi Dika.

Orhan Ibrahimi nga radhët e PDSH-së akuzon BDI-në që ka miratuar ligjin për heqjen e rubrikës së nacionalitetit në dokumentet personale identifikuese.

“Ligji i cili hoqi nacionalitetin nga dokumentet personale u miratua në vitin 2003 nga BDI. Ky është ligji i parë i cili shkel rëndë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ne atëherë ngritëm zërin për këtë çështje, por situata vazhdon të jetë e tillë. Në asnjë dokument nuk shkruan nacionaliteti dhe pothuajse fare nuk respektohet gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në dokumentacionin shtetëror”, tha Ibrahimi.

Kurse Kryetarja e Parlamentit, Suzana Saliu i ik përgjegjësisë duke thënë se ajo nuk është kompetente dhe se për këtë çështje duhet të bisedohet me Avokatin e Popullit.

Ixhet Mehmeti, bën të ditur se me rregullat ndërkombëtare përkatësia etnike, dhe ajo fetare nuk përcaktohen por deklarohen.

“Secili është i lirë të deklarojë se si ndjehet, cilën fe ai zgjedh ta ndjek dhe cilës kombësi i takon. Prandaj sipas rregullave ndërkombëtare këto dy atribute deklarohen dhe nuk përcaktohen”, tha Mehmeti.

Sa i përket shteteve ballkanike, juristi Osman Kadriu bën të ditur se shumica prej tyre në dokumente ju shënon kombësia dhe ai thekson se ligji mund të ndryshohet atëherë kur Qeveria bën një propozim të tillë në Parlament.

Nga ana tjetër qytetarët shqiptarë vazhdojnë të ankohen për mungesën e një dokumenti zyrtar në të cilin vërtetohet nacionaliteti i tyre.
 

Lajme të ngjashme

Back to top button