Komisioni për lustrim zbardhi të kaluarën apo solli vetëm terr dhe padrejtësi?

Në debatin me temë: “Ndarja me të kaluarën sipas rekomandimeve të Komisionit Europian”, të organizuar nga Këshilli Nacional për Eurointegrime, u theksua se procesi i lustrimit në vend të zbardhjes së të kaluarës solli vetëm padrejtësi, ndërkaq bartësit e procesit insistuan se kanë bërë punën e duhur dhe se për të njëjtën nuk pendohen, raporton Portalb.

Nikolla Babovski, ish anëtar i Komisionit për lustrim vlerësoi se procesi ishte ballafaqim me kundërshtarët politik.

“Si mund që Komisioni të jetë mbi sistemin juridik. Ishte vetëm ballafaqim me ata që nuk mendojnë si pushteti. Ju nuk më lustruat mua, por tërë familjen. Ju fëmijët e mi, që janë të mitur i publikuat në ueb faqe. Si mund të lustroni dikë që ka vdekur. Atë që e bënë lustrimi ishte inkuizicion”, tha Babovski.

Ish gjykatësi i Kushtetueses Trendafil Ivanovski, i lustruar, Komisionin e vlerësoi si antikushtetues.

“Ky debat do të kishte qenë më mirë të organizohet në fillim të procesit të lustrimit. Në vend se të zbardh të kaluarën ky proces solli terr dhe shumë padrejtësi. Duhej të ishte ndërprerë që në momentin kur shihej se po e prish rendin kushtetues”, deklaroi Trendafilovski.

Nora Shaqiri, vajza e të lustruar Hisen Shaqiri, i lustruar, ka akuzuar kryetarin e Komisionit Axhiev se ka lustruar të atin e saj pa asnjë argument të vetëm.

“Nuk qëndron asnjë argument i juaj për ta lustruar babain tim. Me cilin argument ju e lustruat babain tim, z.Axhiev? Nga DSK shprehen se nuk është i evidentuar në asnjë dokument. Ju jeni mbi gjithcka? Daut Dauti më ka thënë se babai im nuk është evidentuar në ndonjë dokument, por diku dikush ka dëgjuar emrin e tij”, theksoi mes tjerash Shaqiri.

Bojan Mariçiq, nga Qendra për studime Europiane, kujtoi se qysh në fillim të procesit është dashur të merren parasysh rekomandimet e BE-së.

“Ligji ishte kontrovers që nga fillimi. Pyetja ime kryesore është pse për gjatë këto vite u injorua zëri i shoqërisë civile, qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtarë. BE-ja qysh në vitin 2011 ka shprehur shqetësim për procesin e lustrimit. Pastaj kishim reagimin e Komisinit të Venedikut, ku theksohet se Komisioni për Lustrim po bën diferencime ideologjike. Procesi i lustrimit nuk e arriti asnjë qëllim, vetëm hapi plagë. Ishim dëshmitarë se lustrimi bëhej edhe me porosi”, potencoi Mariçiq.

Ish kryetari i Komisionit për lustrim Tome Axhiev, veçoi se kudo organet për lustrim kanë hasur në rezistencë.

“Gjithkund ka pasur rezistencë procesi i lustrimit, të njejtin e hasi edhe te ne. Komisioni arriti të lustrojë 300 bashkëpunëtor, ndërkaq 120 të tjerë nuk arritëm t’i përfundojmë për shkak vonesave me vërtetimin e letërnjoftimeve, sepse u shfuqizua komisioni. Askush nuk është lustruar pa dokument valid. Unë mendoj se lustrimi nuk ka mbaruar dhe duhej të vazhdonte”, tha Axhiev, i cili pasi mbaroi prezantimin e tij, doli nga debati, edhe pse shumë deputetë u paraqitën për fjalë të inicuar pikërisht nga fjalimi i këtij të fundit.

Komisioni për lustrim ka lustruar 300 persona, disa me vendime të plotfuqishme, ndërkaq disa lëndë janë refuzuar nga gjykata administrative. Në mesin e të lustruarve janë edhe 35 persona të vdekur./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button