Propagandistët të frikësuar nga ndryshimet e mundshme në hapësirën mediatike

Propaganda është vënë para dilemave të rënda, t’i respektojë standardet profesionale, mirëpo në të njëjtën kohë ta ndërpresë bombardimin e qytetarëve me gënjeshtra dhe me manipulime me ç’rast do të vihet në pikëpyetje rejtingu i partisë në pushtet

Shkruan: Sead Rizvanoviq

Më 2 shtator filloi mbikëqyrja e paralajmëruar e medieve elektronike nga ana e Agjencisë për medie dhe organi i ri ad-hoc për ndjekjen e programit.

Ajo që mund të vërehet në fillim është se zbatuesit e propagandës në Maqedoni (do ta njohin veten në tekst) janë të zverdhur, të ngrirë, të frikësuar, në panik nga mundësia për t’u dënuar për për krimin informativ që e realizojnë mbi qytetarët tashmë një dekadë të tërë.

Një pjesë e medieve profesionale, edhe kësaj, radhe, në mënyrë parimore sikurse edhe deri tani, edhe për këtë proces të rregullimit parazgjedhor mediatik i dhanë vërejtjet dhe kritikat e tyre.

Gazetarët e vërtetë thanë se çka mendojnë edhe për organin ad-hoc edhe për redaktoren e re të TVM-së. Njëra nga kritikat kryesore është se bëhet fjalë për zgjidhje partiake dhe se pikërisht partizimi i medieve edhe deri tani ishte njëri nga problemet më të mëdha.

Mirëpo, ajo që i dallon gazetarët profesionalë (të cilët përkundër kritikave të shumta ende ekzistojnë) nga propaganda është ajo se ata, edhe përkundër të gjitha vërejtjeve, do të punojnë sipas rekomandimeve të Agjencisë për medie, do t’i respketojnë standardet e OSBE-së dhe të ODHIR-it për raportim mediatik para zgjedhjeve, e poashtu do të punojnë edhe sipas standardeve të tyre morale dhe etike, të udhëhequr nga parimet e gazetarisë profesionale.

E çka do të bëjë propaganda e zezë? Propagandistët janë vënë para dilemave të rënda, t’i respektojnë standardet profesionale, mirëpo në të njëjtën kohë ta ndërpresin bombardimin e qytetarëve me gënjeshtra dhe me manipulime me ç’rast do të vihet në pikëpyetje rejtingu i partisë në pushtet.

Nga ana tjetër, mund të vazhdojnë të punojnë sikurse deri tani dhe të ballafaqohen me pagesën e dënimeve të mëdha, me shpresë se dënimet do t’u paguhen nga urdhërdhënësit e tyre, mirëpo edhe këtu ka një problem për ta. Çka në qoftë se partia që i mirëmban ata disi humb në zgjedhjet e ardhshme, çka në qoftë se ndryshon atmosfera e gjithëmbarhshme demokratike pas dhjetorit, a do të mbeten me dënimet në xhep?

Mu për këtë arsye kundërshtarë më të mëdhenj të mënyrës së re të mbikëqyrjes së medieve janë pikërisht ata, shkatërruesit e të vërtetës në Maqedoni, mbjellësit e realitetit të rrejshëm dhe realizuesit e episodit më të poshtër, më të turpshëm dhe më të zi në historinë më të re të medieve të Maqedonisë.

Kjo gjysmëbotë mediatike tani ulërin në mënyrë histerike dhe kinse pyet pse matet balanci, si matet toni në medie, si ta masin se a raportojnë në favor të pushtetit apo të opozitës. Këto janë përgjigje të cilat ata i dijnë shumë mirë, mirëpo me pyetjet e tyre vetëm shkaktojnë reagim të gërdisë nga publiku i cili e sheh se çka janë duke bërë me vite, e tani bëhen sikur s’dinë gjë.

 

NUK KA BRINJË, MIRËPO DO TË SHPOJË

Si ndryshe të përshkruhet ky reagim, përveç se me fjalën popullore “Nuk ka brinjë, mirëpo do të shpojë? Për shkak se, thënë të vërtetën, shumica e njerëzve që tani e realizojnë strategjinë propaganduese të pushtetit janë punëtorë shumëvjeçarë mediatikë, qëllimisht nuk e përdor fjalën gazetarë apo profesionistë, për shkak se që nga një moment i caktuar në karierën e tyre më nuk janë të tillë.

Këta njerëz shumë mirë e dijnë se si punohet në mënyrë profesionale dhe sipas standardeve gazetareske. Ata nuk janë të paditur, por qëllimisht kanë zgjedhur të jenë realizues të propagandës për kompensim të lartë me para. Prandaj, këtë që tani e bëjnë propaganduesit nuk guxon të harrohet, e as të falet. Për shkak se nuk bëhet fjalë vetëm për një betejë të thjeshtë mediatike ose mendjemadhësi gazetareske, por për zbatim të krimit të vërtetë ndaj kombit ose shtetit të vet.

Nuk e di se a janë të vetëdijshëm këta njerëz se me fshehjen e aferave të pushtetit, me sulmin e qëllimshëm dhe të pabazë të opozitës, me prishjen e mekanizimit për korrigjim mediatik të dalldisjes së pushtetit, shkatërrojnë jetë njerëzish, shkatërrojnë fate të familjeve të tëra, të fëmijëve të tyre të tanishëm dhe të palindur, e shkatërrojnë përditshmërinë e njerëzve që kalojnë nëpër procese të montuara policore dhe gjyqësore, ndikojnë mbi shëndetinë e njerëzve, të cilët për shkak të sistemit jofunksional shëndetësor, jetojnë pa kujdes të mirë mjekësor, nuk kanë barna.

Ndoshta propagandistët e harruar në paratë dhe pronën e tyre do të reagonin ndryshe sikur të ballafaqoheshin me viktimat e tyre. Për shembull, nëse një nënë u sjell fëmijën e tyre duke vuajtur, për shkak se insulina që e pranon tani nuk vepron njësoj sikurse ajo që e ka marrë më parë. Kuptohet në mediet e tyre nuk do të shihni kronikë se si shoqatat e pacientëve ankohen si insulina e re, më e lirë, nuk vepron njësosj sikurse ajo paraprakja dhe se kjo ndodh për shkak të politikave të ministrit për shëndetësi Nikolla Todorov. A do të reagonte, ndoshta, te këta njerëz empatia sikur ta shihnin në sy një fëmijë duke vuajtur dhe do t’u kujtohej se si do të ndjeheshin sikur kjo t’i ndodhte fëmijës së tyre?

PËR MBIKËQYRJEN E PORTALEVE

Në fund, e shoh se i krijua një debat se a duheshte të përfshihen edhe portalet në internet në këtë matje të medieve. Dua t’u përkujtoj vetëm se gjatë sjelljes së Ligjit për medie, pothuajse të gjithë qytetarët me mendim të lirë u bashkuan kundër propozimit që portalet në internet të jenë pjesë e ligjit. Аrgumentet ishin se me këtë veprim pushteti dëshiron të vendosë censurë edhe në këtë pjesë të hapësirës mediatike që konsiderohet e lirë. Unë, për dallim nga disa të tjerë, edhe atëherë edhe sot mbetem në qëndrimin e njëjtë, rregullim të hapësirës mediatike në internet nuk duhet të ketë.

Argumentet e mia janë këto: bëhet fjalë për materie që është shumë e vështirë për t’u rregulluar, ka mënyra të pakufishme që portalet ta anashkalojnë bllokadën dhe të shkruajnë çka të duan. Në qoftë se portalet e teprojnë me joprofesionalizmin e tyre dhe vazhdimisht përhapin gënjeshtra, shpifje, manipulime, ka edhe ligje të tjera, sikurse Ligji për përgjegjësi qytetare nga shpifja dhe ofendimi, të cilat mund të përdoren në këto raste. Mendoj se hapësira mediatike në internet duhet të vetë-rregullohet, sipas logjikës së tregut të ofertës dhe të kërkesës.

Përveç kësaj, të gjitha hulumtimet tregojnë se publiku në Maqedoni pothuajse 90 për qind informohet nga televizioni, kështu që rregullimi i portaleve do të merrte shumë kohë dhe energji, ndërsa efektet do të ishin minimale.

 


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button