Selamet e Shefqet Krasniqit për deputetët dhe Ezanin

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, thotë për lajmi.net se ata që votojnë për ndaljen e ezanit, bëjnë mëkat të madh. Ai vlerëson se ezani nuk bën pjesë në “zhurmë”, ndërsa këmbëngul se dëshira dhe vullneti i popullit është mbi çdo Ligj.

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, ka reaguar ndaj deputetëve të cilët kanë votuar pro Ligjit kundër “zhurmave”, në të cilin e kanë futur edhe ezanin, thirrjen islame të çdoditshme në xhami, ku myslimanët predikojnë fenë.

Në një deklarim për lajmi.net, ai është shprehur se një gjë e tillë përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

Krasniqi insiston se ezani nuk bën pjesë në “zhurmë”, ndërsa konstaton se ata që votojnë kundër ti, vetëm do të koriten.

“Çfarë kanë bërë ata, është një mëkat i madh. Është shkelje e të drejtave të njeriut.”

“Është t’i nënçmosh dhe t’i provokosh shumicën absolute të myslimanëve. Është edhe një hap kundër identitetit fetar, që janë duke bërë të zgjedhurit e popullit tonë. Është edhe një shkas ku tregohet se çfarë parie kemi, se çfarë njerëz ka votuar populli, po del në shesh fytyra e tyre”.

“Ezani nuk bën pjesë në zhurmë. Por, nuk është çudi që neo-komunistët, për ata që mundohen të bëhen më katolikë se Papa, çdo gjë që ka lidhje me Islam, u pengon, edhe vetë emri Islam u pengon. Edhe vetë xhamia u pengon, vetë myslimanët u pengojnë. Çdo gjë që ka të bëjë me Islam, u pengon”.

“Zoti është i Madh dhe do të marrë hak ndaj tyre”.

“Ezanin nuk do të mund ta ndalin, veçse do të koriten. Por, ezanin nuk do ta ndalin”.

Sa i përket mundësisë së uljes së decibelëve të thirrjes së ezanit, Imami Shefqet Krasniqi pranon se mund të jetë kompetencë e Bashkësisë Islame dhe myslimanëve.

Ai shprehet se ezani është i ulët, ndërsa rikujton se atë s’kanë mundur ta ndalin as pushtetet e kaluara.

“Është kompetencë e Bashkësisë Islame, është kompetencë e myslimanëve. Ezanin s’e ka ndalur Krajli në kohën e Serbisë, s’e ka ndalur Rankovici në vitet ’50, s’e ka ndalur Tito në vitet ‘70, e s’e ka ndalur Rrahman Morina në vitet ’80, e s’e ka ndalur as Milloshevici në vitet ‘90’, e le ta ndalin tash këta tjerët, e le t’ua kalojnë atyre”.

“Ezani është i ulët, ne e dimë, dhe s’ka nevojë të na mësojë për ezan askush”.

“Atyre që u pengon ezani janë argatë të shejtanit. U pengon komunistëve, atyre që e urrejnë Islamin, sepse ezani thërret për myslimanët.”

“Ne nuk jemi duke thirrur ezan në mes të Beogradit, as në mes të Athinës, e as në mes të Romës a Vatikanit. Jemi duke thirrur ezan në Prishtinë. Jemi duke thirrur ezan në Kosovë, ku 96% është me myslimanë.”.

“Të gjitha pushtetet e mëhershme na kanë justifikuar. E pse këta neve të mos na durojnë? Çfarë po u bëjmë? Meselja është që e urrejnë Islamin”.

“Por, dëshira e popullit, vullneti i tij, është mbi çdo Ligj”, thotë Imami Shefqet Krasniqi.

Lajme të ngjashme

Back to top button