Analizë plot komente dhe teza të pakonfirmuara e paketuar si lajm

[Recension: “Marrëveshje e fshehtë mes VMRO-së dhe LSDM-së në dëm të shqiptarëve!”]

Na ka ndodhur shpesh të recensojmë lajme, në të cilat komentet dhe opinionet personale të gazetarëve janë më se evidente. Ndërsa, lajme të shndërruar në analiza të gjera dhe me shumë teza të parashtruara e të pa konfirmuara, si në këtë rast, si duket, janë një ‘risi’ dhe eksperiencë pothuajse e panjohur më parë.

[Recension: “Marrëveshje e fshehtë mes VMRO-së dhe LSDM-së në dëm të shqiptarëve!”]Linku për te artikulli origjinal: Marrëveshje e fshehtë mes VMRO-së dhe LSDM-së në dëm të shqiptarëve!

Data dhe koha e publikimit: 04.09.2016

Data e recensionit: 07.09.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Sikur autori të kishte bërë një analizë ashtu të hollë dhe më pas redaksia ta kishte vendosur në rubrikën e lajmeve, do të ishte më se e falshme. Në raste të tilla edhe mund të mbyllet njëri sy, se fundja, rëndësi do të kishte pesha e analizës e jo edhe aq shumë “zëvendësimi” i rubrikave.

Pa hyrë në hollësira, për shkak se edhe teksti është shumë i gjatë, këtu do të përpiqemi të evidentojmë vetëm ato probleme, të cilat as lajmi, e lërë më analiza, nuk guxon t’i përmbajë në asnjë moment. Teksti shtjellon tezën se marrëveshja mes katër liderëve të partive më të mëdha politike në Maqedoni nuk ka lidhje me realitetin, duke na thënë se marrëveshja e vërtetë është ajo që është bërë fshehurazi në mes dy partive maqedonase, larg veshëve të dy liderëve shqiptarë.

Teza numër dy që shtjellohet është se liderët shqiptarë konsiderohen vetëm si dekor në marrëveshjen e 31 gushtit të këtij viti. Aty nuk mungojnë as akuzat drejtuar liderëve për, siç thuhet në tekst, veprime kriminele. Përmbajtja i quan dështakë liderët shqiptarë në këtë marrëveshje dhe i shpall si fajtorë kryesorë për të gjitha të zezat e mundshme që u vijnë shqiptarëve në këtë vend. Kujdes, në përmbajtje nuk haset asnjë burim ku bazohet autori, të gjitha akuzat duken si të shtëna rrufeje që shkatërrojnë çdo hapësirë të synuar.

E treta, liderët shqiptarë akuzohen për inferioritetin e tyre në përzgjedhjen e anëtarit të pestë të komisionit ad hoc për monitorimin e mediumeve, që sipas tekstit, është irrelevant për nga pesha krahasuar me fshirjen e mijëra votuesve shqiptarë nga lista zgjedhore. Ndoshta teza e shtruar edhe nuk është larg të vërtetës, por çështja është se nuk mund të jesh në të njëjtën kohë edhe autor lajmesh, edhe autor analizash. O njëra, o tjetra, ose së paku njëra pas tjetrës. Aty potencohet edhe kontributi i vazhdueshëm i redaksisë në fjalë për të hedhur dritë mbase për veprimet skandaloze të liderëve shqiptarë. Dhe, ky fakt thuhet me mburrje, pa dhënë dëshmi konkrete për këtë.

Dhe ja tek vijmë tek ‘sekreti i madh’ që ngërthen një marrëveshje deri më tani e panjohur për opinionin në mes Nikolla Gruevskit të VMRO-DPMNE-së dhe Zoran Zaevit të LSDM-së. Ajo thënia e urtë e përdorur në tekst: “Edhe atëherë kur ti je fjetur, armiku është i zgjuar dhe bëjnë plane për sulmet e ardhshme”!”, është një element tjetër brenda tekstit që në përkthimin etik mund të vlerësohet si gjuhë e urrejtjes.

Krejt në fund, me përkushtimin më të madh, parashtrohen diku rreth tetë pika të kësaj “marrëveshjeje të fshehtë” mes dy liderëve maqedonas. Kjo nuk do shumë për t’u komentuar, mjafton vetëm një fjali: po të kishte ndonjë dëshmi për këtë lloj marrëveshje sekrete, të jeni të bindur se të paktën ndërkombëtarët e përfshirë në procesin tonë politik, do të beënin çmos për të siguruar versionin origjinal të kësaj marrëveshje, ose të paktën një kopje… Dhe me siguri që të nderuarin autor nuk do ta shihnim më të merret me analiza të tipit “Po sikur???”. Për të qenë të sinqertë, ato pika nuk janë fare për të qeshur, sepse janë shtruar në një formë shumë të sofistikuar duke pretenduar për një largpamësi. Prandaj, po të posedohej ndonjë dëshmi, atëherë ky lajm pa pikën e dyshimit do shpallej “lajm i vitit” ose “lajm i shekullit”. Nuk është çudi që populli të revoltohej tejmase dhe të fillonin trazirat dhe dhuna, pa u marrë vesh se kush kundër kujt. Kur e themi këtë, flasim gjithmonë si një lexues i ndikuar nga teksti rrënqethës.

Autorëve në media u urojmë sukses në zhvillimin e pjekurisë analitike, sepse përmbajtje të tilla mungojnë shumë në mediat në vend. Mirëpo, duke i porositur gjithashtu se kur shkruajnë lajme, duhet të kenë parasysh disa rregulla të shkurta dhe të thjeshta, që burojnë nga kodet etike të gazetarëve anembanë globit.

 

 


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button