Ibrahim, pse je ende në rektorat?

Si mund të insistosh të qëndrosh në një post kur dritarja të mbushet me pështymë dhe kur rruga përballë zyrës të mbushet me protestues?

Po bënim intervistë me Behgjet Pacollin në shtëpinë e tij, në Hajvali, ditën kur LDK kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e zgjedhjes së tij në postin e Presidentit. Ai kishte vetëm disa ditë në zyre të Presidentit dhe lënda që u dërgua në Gjykatë e kishte trullosur fare. Telefoni i tij s’pushonte; dikush kërkonte ndonjë favor, të tjerë mundoheshin ta këshillonin…
Ishte vetëm një njeri që as që merrej me të dhe as që dinte se çfarë po ndodhte – ai ishte Ibrahim Gashi, atë kohë Shef i Kabinetit të tij. Pashë teksa iu afrua Pacollit me kujdesin e një servili, diç i pëshpëriste tek veshi. Temën e bisedës e mora vesh vetëm kur Pacolli urdhëroi adjutantin e tij: “Jepja brekët e miqve”.

Pra, siç mund të kuptohej, Ibrahim Gashi po kërkonte ca brekë për t’u larë në pishinën e shtëpisë së Pacollit që ndodhej në bodrum.

Në fund të intervistës, Gashi hyri sërish në dhomë; tani kishte hundën e skuqur dhe flokët me pak volum (duket prej tharëses së flokëve).

“S’ka bazë ligjore kërkesa e LDK’së”, ishte citati profetik i Gashit për padinë e LDK’së.
Disa ditë më pas, Gjykata e rrëzoi Pacollin nga posti i Presidentit.

Kjo situatë e para shumë kohe mu kujtua sot kur nga Rektorati erdhi një demant se Ibrahim Gashi nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje. Pra, Gashi kishte marrë mundin ta shkruante një demant, ndërkohë që dritarja e tij ishte mbushur plotë pështymë nga protestuesit që i kërkonin dorëheqjen.

Si atëherë si tash; totalisht i papërgjegjshëm për situatat në të cilat ndodhet.

Në secilin vend të botës, njerëzit janë të ndjeshëm kur vërtetohen mashtrimet akademike, apo plagjiatura. S’ka kompromis në këto situata. Veçanërisht kur kjo ndodh nga drejtues institucionesh arsimore.

Kjo do duhej të ishte e mjaftueshme që Ibrahim Gashi të kërkonte falje dhe të largohej, jo nga Rektorati, por nga universiteti.

Por ja që kjo s’ndodhi.

Përkundrazi, Gashi thotë se s’do të largohet edhe kur bulevardi përballë rektoratit mbushet me më shumë se 1000 protestues.

E natyrshme për sojin e tij; për njerëz që inkuadrimin në politikë e shohin edhe si mundësi për inkuadrim në ndonjë pishinë luksoze; për njerëz që pozitat akademike i fitojnë përmes mashtrimeve, për njerëz që pozitat institucionale i shohin si mundësi për pasurim.

Prandaj, Ibrahim Gashit s’duhet t’i pranohet më dorëheqje, edhe nëse e bën atë. Ai duhet shkarkuar nga gjitha pozitat në Universitet. Ai duhet t’i kthehet jetës së tij normale, larg pishinave luksoze dhe larg institucioneve arsimore.

Leonard Kerquki

Lajme të ngjashme

Back to top button