BDI nuk ka marrë vendim për zgjedhje të parakohshme

BDI-ja nuk ka marrë vendim për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo është  vetëm një nga pesë alternativat që do të ofrojë partia nëse me VMRO-DPMNE-në nuk bie dakord për kandidat konsenzual në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Këtë e theksoi zëdhënësi  BDI-së Bujar Osmani sot në pres -konferencë, duke theksuar se zgjedhjet e parakohëshme do të jenë vetëm dalje nga rrethanat eventuale politike dhe klima negative që do të krijohet nëse nuk ka marrëveshje për kandidat konsenzual, por  jo edhe zgjidha e tyre. 

“BDI-ja momentalisht nuk  është për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ne jemi të përgatitur për zgjedhje në çfarëdo kohë. Analizat tregojnë se BDI-ja do të jetë fituese në pjesën e shqiptarëve nëse nesër do të mbahen zgjedhjet. 

Megjithatë, kjo nuk është arsye se përse e vendosim mundësinë për zgjedhje të parakohshme si një nga variantet,  por ajo që parashikojmë se  mosdakordimi eventual  për kandidat konsenzual mund të sjellë krizë politike e cila nuk do të mundësojë funksionimin normal të Qeverisë dhe bllokimin eventual të institucioneve”, tha Osmani. 

Duke theksuar se vetëm me VMRO-DPMNE-në kanë biseduar për kandidat konsenzual shtoi se  derisa nuk marrin përgjigje nga partneri i koalicionit konsiderojnë se ekziston mundësi për marrëveshje. 

“Në 20 ditët e ardhshme, që na mundësojnë afatit ligjore të Ligjit zgjedhor deri kur duhet të paraqitet kandidati presidencial në KSHZ, do t’i paraqesim të gjitha argumentet tona  se pse Maqedonisë tani i nevojitet një kandidat konsenzual”, tha Osmani. 

Me kandidat konsenzual për president, siç sqaroi  Osmani, BDI-ja nënkupton kandidat i cili do të paraqesë vullnetin, para së gjithash të dy komuniteteve më të mëdha etnike, por edhe të gjithë qytetarëve me qëllim që të krijojë qendër kohezioni në shoqëri, siç është roli i presidentit sipas Kushtetutës dhe sistemit të Maqedonisë. 

“Konsiderojmë se vetëm në këtë mënyrë shoqëria do të  ketë kohezionin e nevojshëm që të mund të ballafaqohet me sfidat me të cilat do të ballafaqohet vendi në periudhën e ardhshme”, theksoi Osmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button