“To Vima”: Sinanaj paguhej 25 mijë euro për çdo vrasje në Greqi

Dy grekë dhe një i ri shqiptar akuzohen për vrasjen e dy anëtarëve të “Agimit të Artë”, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor të vitit të kaluar. Gazeta greke “To Vima” shkruan në një artikull të gjatë se dëshmia e Julian Sinanajt në Shqipëri pritet të konfirmojë dyshimet e autoriteteve greke jo vetëm për këtë atentat, por edhe një seri ngjarjesh të tjera. Sinanaj ka marrë përsipër vendosjen e bombës në gjykatën e Selanikut, për llogari të organizatës “Bërthamat e zjarrit”, transmeton Start.

Policia greke flet për një situatë shpërthyese të kriminalitetit, që ka vënë në shënjestër politikanë, oficerë të policisë apo funksionarë të tjerë, duke krijuar kështu situatë të tensionuar dhe panik. Sulmi në zyrat e ‘Agimit të Artë’ ndodhi pasditen e 1 nëntorit 2013, kur dy persona të armatosur vranë George Fontulin dhe Manolis Kapelonin. Në të njëjtin sulm u plagos edhe 29-vjeçari Aleksandër Plaku. Pas zhvillimeve të fundit, policia greke ka krijuar tashmë një kordon të dyshuarish, të cilët janë përfshirë në një sërë sulmesh të komanduara nga organizatat terroriste. “Nëse konfirmohet përfshirja e shqiptarit, ky do të jetë rasti i katërt ku të huajt përfshihen në krim, për llogari të këtyre organizatave”,- shkruan “To Vima”.

Dëshmia e Sinanajt

Në rrëfimin e tij të gjatë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Julian Sinanaj ka marrë përsipër mbi 20 krime në Greqi, për të cilat thotë se është “urdhëruar nga partitë politike”. Nga dëshmia e tij, autoritetet greke kanë shkëputur pesë të dhëna të reja për një serial ngjarjesh, që kanë mbetur të pazbardhura. 30-vjeçari i akuzuar si vrasës me pagesë ka pranuar se për çdo vrasje në Greqi paguhej me 25 mijë euro. Mes krimeve, ai ka renditur edhe vendosjen e bombës në Gjykatën e Selanikut në vitin 2010, ku u rrezikua jeta e 50 personave. “Një ekip kundër terrorizmit dhe Sigurisë ishte në Tiranë për të marrë në pyetje Sinanajn, por u kthye duarbosh në Athinë”,-shkruan “To Vima”. Kjo, pasi autoritetet shqiptare janë ende në procesin e marrjes dhe dokumentimit të dëshmisë së tij për atentatet me bomba. Sinanaj u arrestua 1 javë më parë, teksa po ndiqte një biznesmen për ta eliminuar. Policia bllokoi në shtëpinë e tij mina-celular, armë dhe disa dokumente udhëtimi në gjuhën greke.

E shkuara në Greqi

Vrasësi me pagesë, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë ka emigruar së bashku me familjen në Greqi, në fund të viteve ’90. Ai është vendosur në një zonë me vila, ku mendohet se ka hyrë në kontakt me organizatat greke. Policia e vendit fqinj ka konfirmuar deri më tash dëshminë e tij, se ishte ai ekzekutor i atentatit të ndodhur jashtë restorantit “Mamacas”, në kryqëzimin e Triptolemou dhe Persephone në Gazi, ku mbetën të vrarë dy persona. Policia greke pohon se profili i Sinanajt i përshtatet kësaj ngjarje, por e kanë të vështirë ta lidhin atë me 16 vrasjet e tjera të pazbardhura në periudhat 2005-2009. “Jemi skeptikë për përfshirjen e tij në këto raste. Profili i autorëve është përshkruar i ndryshëm nga dëshmitarët”,-pohojnë hetuesit e vendit fqinj. Sa i përket ngjarjes më të rëndë, asaj të vendosjes së eksplozivit në gjykatë, policia greke thotë se do të marrë në konsideratë të gjithë opsionet.

Nëna dhe motrat e Sinanajt, në Greqi pas viteve ‘90

Mediat greke raportojnë se familja e Julian Sinanajt, 30-vjeçarit të akuzuar si vrasës me pagesë, prej vitesh jeton në shtetin fqinj. Sinanaj ka qëndruar për disa vite bashkë me nënën dhe dy motrat në Greqi, ndërsa prej të paktën 3 vitesh ai kishte patur shumë udhëtime mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por në fillim të bashkëpunimit me organin e akuzës, një nga kërkesat e 30-vjeçarit është mbrojtja e familjes së tij për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Të vënë përpara një kërkese të tillë, prokurorët kanë kontaktuar menjëherë me autoritetet greke, të cilave iu kanë kërkuar bashkëpunim për këtë çështje. Zyrtarisht, Sinanaj rezulton i lindur në Elbasan dhe me banim në qytetin e Vlorës, i cili është edhe vendi i origjinës së prindërve të tij. Por sipas të dhënave të raportuara nga mediat greke, familja e Sinanajt jeton në Greqi pas viteve ‘90. Ende nuk ka informacion nëse familja e Sinanajt është marrë ose jo në mbrojtje nga autoritetet greke, por kjo ka qenë një nga kërkesat kryesore të 30-vjeçarit përpara se të jepte rrëfimin e tij për ekzekutimet me pagesë që ka kryer në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Lajme të ngjashme

Back to top button