Juristët: shkelen të drejtat e njeriut në Maqedoni

Qytetarët shqiptarë ankohen se ofiqarët nuk u japin vërtetim me të dhënat e librit amzë në të cilën vërtetohet kombësia shqiptare.

“Kemi kërkuar dokument në të cilin vërtetohet kombësia shqiptare, na than që një dokument i tillë nuk ekziston, me pas kërkuam vërtetim më të dhënat nga libri amzë dhe kështu arritëm të marrim një dokument në të cilin shkruhet kombësia. Por kur e morëm na than që ju jeni të fundit që merrini këtë dokument pasi që kanë marrë urdhër nga Drejtoria për Menaxhimin e Librave të Amzës që mos të japin më kësi lloj dokumentesh”, tha Faton I., nga Kumanova.

Ky problem është aktual edhe në Qytetin e Shkupit, ku qytetarëve nuk u jepet ky lloj dokumenti.

“Ky dokument na nevojitet për punësim, por edhe për aplikim për nënshtetësi shqiptare. Nuk është e drejtë që të mos na jepen të dhënat tona personale”, tha Valon G., nga Shkupi.

Juristi Osman Kadriu vlerëson se këtu u mohohet e drejta e qytetarëve për tu pajisur me dokumentacion i cili iu takon me të drejtë.

“Është e vërtetë që nuk ka ligj as akt juridik i cili mundëson marrjen e një dokumenti në të cilin vërtetohet kombësia shqiptare. Mirëpo kërkesa për marrjen e të dhënave nga libri amzë nuk duhet t’i mohohet askujt. Aty shkruan nacionaliteti dhe ky dokument shërben edhe si vërtetim për punësim në administratën shtetërore konform realizimit të Marrëveshjes së Ohrit”, tha për Portalb, Kadriu.

Gjithashtu edhe juristja Mirjana Najçevska theksoi se në këtë rast janë shkelur të drejtat e njeriut dhe se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dhe të marrin evidencën e të dhënave personale.

“Në certifikatën e lindjes nuk shkruhet nacionaliteti, por në librat amzë, ai është i evidentuar dhe sipas nenit 28 secili qytetar ka të drejtë të kërkojë vërtetim me të dhënat personale të librit amzë. Nëse kjo gjë i mohohet atëherë kemi shkelje të ligjit dhe ata persona duhet të ankohen në Ministrinë e Drejtësisë”, tha për portalb Najçevska.

Kurse nga Drejtoria për Menaxhimin e Librave të Amzës, Hashim Zekriovski, sqaron se nga ofiqarët është kërkuar që mos të jepen vërtetime kombësie, e jo të dhënat personale të librit amzë.

“Ne kemi kërkuar nga ofiqarët që mos të jepen vërtetime kombësie sepse është në kundërshtim më ligjin. Kurse vërtetime për të dhënat personale mund të marrin”, tha Zekirovski. 

Ndërkaq qytetarët ankohen se atyre nuk u jepet asnjë lloj vërtetimi nga ofiqarët, as edhe ai i të dhënave personale. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button