Ivanov: Raportet me Rusinë janë interes i veçantë për Maqedoninë

Avancimi i mëtejshëm i raporteve miqësore me Federatën Ruse mbetet interes i veçantë për Maqedoninë, thotë presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në intervistën për agjencinë ruse të lajmeve ITAR-TASS, me rastin e 20-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Pas ndërmarrjes së detyrës president në vitin 2009, personalisht jam angazhuar dhe në mënyrë aktive jam kyçur me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të raporteve dhe sidomos në intensifikim të bashkëpunimit. Më gëzon fakti që në pesë vitet e kaluara me angazhim të përbashkët kemi arritur rezultate të rëndësishme. Marrëveshja për inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë në “Rrjedhën jugore” është me interes të veçantë, sepse do të sigurojë stabilitet energjetik të vendit në dekadat e ardhshme. Në këtë drejtim, partneriteti me Federatën Ruse për ne është me rëndësi thelbësore dbe unë personalisht disa herë kamë realizuar takime me udhëheqësinë e “Gazprom”-it, me Alkesej Miler, në të cilat kam shprehur mbështetje absolute politike për realizimin e këtij projekti dhe inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë në të njëjtën. Sipas shembullit të sektorit energjetik, shpresoj sinqerisht dhe pres se në periudhën e ardhshme do të arrijmë të zgjerojmë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, përmes realizimit të projekteve konkrete”, thotë presidenti Ivanov për ITAR-TASS-in.

Federata Ruse, sipas Ivanov, ka rol mjaft të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, ekonomia ruse bëhet një nga më të fuqishmet në Evropë dhe paraqet partner të rëndësishëm tregtar të Republikës së Maqedonisë.

“Federata Ruse ka pozicion parimor në lidhje me përdorimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Kështu që, avancimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve miqësore me Federatën Ruse, mbetet interes i veçantë për Maqedoninë dhe jam i sigurt se në periudhën që pason me angazhim të përbashkët do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për bashkëpunim akoma më intensiv, sidomos ekonomik”, thotë presidenti i Maqedonisë.  

Lajme të ngjashme

Back to top button