fbpx

АNALIZË: Еkonomia rritet – standardi “i ngrirë”?

Në kushte të paqartësisë politike, ekonomia edhe në tremujorin e dytë shënoi përqindje pozitive të rritjes – rritje modeste prej 2,2%. Shtylla kyçe në të cilën bazohet PBB-ja edhe më tutje është ndërtimtaria, sektor në të cilin ka rritje prej 31%. Për dallim nga sektori qytetar, pothuajse në të gjithë sektorët tjerë është regjistruar rënie, shkruan Portalb.mk. Një pjesë e ekonomistëve presin që deri në fund të vitit, rritja të ngadalësohet, për shkak se firmat, gjegjësisht sektori privat, si rezultat i gjendjes së përkeqësuar financiare dhe të likuiditetit, nuk do të arrijnë t’i realizojnë projektimet e parapara qeveritare.

Еkonomia rritet standardi “i ngrirë”?

Trende negative në industrinë për përpunimin e ushqimit, në xehetari, në sektorin financiar dhe atë të sigurimeve, regjistroi statistika shtetërore në tremujorin e dytë ekonomik. Për dallim nga këto sektorë, ndërtimtaria edhe më tutje dominon, si shtyllë bartëse e rritjes ekonomike. Përqindje pozitive ka edhe në veprimtaritë administrative dhe ato ndihmëse shërbyese, ndërsa rritje minimale ka në tregti. Marrë në përgjithësi, në tremujorin e dytë ekonomia shënoi rritje prej 2,2 për qind, nivel që është minimalisht më i lartë se sa rritja në tremujorin e parë, mirëpo më e ulët se sa rritja në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur PBB-ja u rrit për 3,4%. Një pjesë e ekonomistëve presin që rritja ekonomike në periudhën e ardhshme të ngadalësohet.

“Në kushte të krizës politike, është normale që të vijë deri te zvogëlimi në pjesën e të ardhurave nga konsumimi (konsumimi personal dhe ai publik), zvogëlimi i porosive, veçanërisht nga jashtë, pasta zvogëlimi i aktivitetit të përgjithshëm investues, ndërsa nëse kriza politike zgjatet, ka rrezik real për zhvendosjen e kapitalit në zona më të sigurta për investim. Nuk pres rritje më të madhe të PBB-së se sa 1% deri në 1,5% në tremujorin e dytë dhe atë të tretë. Pres një lëvizshmëri më të madhe në aktivitetin ekonomik nëpërmjet injektimit të mjeteve plotësuese nga buxheti në ekonomi, që janë siguruar nga huatë e marra në terrenin vendor dhe atë të huaj. Me ato para do të sigurohen mjete për obligimet e maturuara, për porosi të reja, për pagesën e subvencioneve dhe për lloje të tjera të pagesave nga buxheti, mirëpo kjo nuk do të mjaftojë për të pasur një lëvizshmëri më të madhe të aktivitetit ekonomik”, thotë për Portalb.mk, profesori universitar, Sami Bislimi.

Paqartësia politike në vitin 2015 përfundoi me rritje ekonomike prej 3,7%, kryesisht të mbështetur në sektorin e ndërtimtarisë, i cili në nivel vjetor shënoi rritje prej 16,8%. Për dalllim nga ndërtimaria, gjatë vitit të kaluar, bujqësia, industria e përpunimit të ushqimit, administrata publike dhe mbrojtja nuk shënuan përqindje pozitive. Prodhimi mesatar i brendshëm bruto ishte 4.401 еuro, që do të thotë se aq para ka pasur në dispozicion çdo banor i vendit gjatë vitit të kaluar. Еkonomistët thonë se rritja ekonomike duhet të analizohet duke bërë krahasime me parametra të tjerë, gjegjësisht sa kjo rritje realisht e përmirëson standardin jetësor, si është shpërndarja dhe cili është relacioni në raport me huatë e marra, gjegjësisht a është borxhi publik në funksion të rritjes së PBB-së.

“PPB-ja për kryebanori e vlerëson fuqinë ekonomike të popullatës. PBB-ja për kryebanori është rreth 370 euro në muaj, që do të thotë 1.500 еuro në muaj për një familje katëranëtarëshe. Sa familje te ne kanë të ardhura mujore prej 1.500 еurosh në muaj? PBB-ja në vete i përfshin edhe profitet e firmave, edhe amortizimin që e paguajnë ato për investimet e tyre, edhe shërbimet që ua ofron shteti qytetarëve pa paguar ata nga xhepi i tyre (siguria, shëndetësia, arsimi). Prandaj, ka dallim të madh ndërmjet PBB-së dhe të ardhurave që i ka në dispozicion popullata (gjegjësisht të ardhurat që njerëzit i marrin në dorë). Sasia e të ardhurave që janë në dispozicion është shumë më e vogël, rreth 50-60% e PBB-së, gjegjësisht rreth 2.500 еuro për kryebanori” – deklaroi për Portalb.mk paradokohësh ekonomisti Branimir Jovanoviq.

Problem shtesë për këtë vit është edhe alarmi për jolikuiditet që e dërgoi sektori privat. Në fakt, anketa e Odës Ekonomike të Maqedonisë tregoi se 42% e firmave kanë problem për arkëtimin e pagesave të maturuara, ndërsa në listën e borxhlinjve është edhe vetë shteti dhe sektori publik.

“Problemi me jolikuiditetin është afatgjatë, vetëm se tani doli në sipërfaqe, fillimisht për faktin se gjatë trazirave të këtilla politike, çdokush tenton t’i shtyjë pagesat e obligimeve, porositë, blerjet, e kjo ndikon drejtpërdrejt në zvogëlimin e të ardhurave, më saktë të parave të gatshme. Përndryshe, gjendja me likuiditetin varet nga sasia e parave që janë në qarkullim, si dhe nga shpejtësia e qarkullimit të parave. Zgjidhja është injektimi i sasisë shtesë të parave ose shpejtimi i qarkullimit të parave”, thotë për Portalb.mk profesori Bislimi.

Përqindja më e lartë e rritjes ekonomike u regjistrua në vitin 2007, edhe atë 6,5%. Praktikisht, ky është edhe niveli më i lartë i matur i rritjes ekonomike që nga viti 1993. Sipas të dhënave nga institucionet kompetente, vendi gjatë gjithë kësaj periudhe nuk arriti të realizojë përqindje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Në fakt, gjatë këtyre 25 viteve, madje gjashtë vite janë në shenjën e krizës, me përqindje negative të rritjes ekonomike.

Sipas projektimeve të Bankës Popullore, sipas skenarit pesimist, pritet që rritja e ekonomisë këtë vit të jetë 1,6%. Në skenarin optimist të BPRM-së, si dhe në bazë të projektimeve të qeverisë, rritja e PBB-së pritet ta tejkalojë nivelin prej 3 për qind. Ekonomia e Maqedonisë me vite të tëra lufton për përqindje të këtilla të rritjes ekonomike, të cilat shumë ngadalë ose fare nuk reflektohen mbi standardin jetësor. Sipas një hulumtimi të paradokohshëm të Bankës Botërore, vendi do të ketë nevojë për rritje prej 4,5% në periudhë prej tre dekadash që të afrohemi deri te mesatarja evropiane. Sipas statistikës evropiane, qytetarët e Maqedonisë tani janë në grupin e më të varfërve, me standard që është vetëm 36% në krahasim me mesataren evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button