Ku trajnohen pjesëmarrësit nga Maqedonia në luftërat e IS-it?

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se rreth 25 nënshtetas të Maqedonisë kanë vdekur në Siri dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, ndërkohë që 50 persona tjerë sipas informacioneve që posedojnë akoma gjenden në luftërat në Siri dhe në Irak, shkruan REL.

Në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për t’u përfshirë në luftërat e jashtme, paraqet vepër penale, për të cilën parashihet dënim me së paku 5 vjet burgim.

Ekspertët në Maqedoni thonë se autoritet shtetërore përpos masave ndëshkuese, të parapara me ligj, duhet të intensifikojnë bashkëpunimin me Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë si mekanizëm shumë i rëndësishëm për të parandaluar veprimin e strukturave radiale islame në vend.

“Strukturat e sigurisë duhet të instalojnë një bashkëpunim të sinqertë me Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë, përkatësisht teologët, të cilët me diskursin e vet mund të vetëdijesojë popullatën e re, pra të rinjtë që janë kapur nga një gjendje e transit apo e ekstazës për shkak të thirrjes së disa personave ose individëve të diplomuar ose të padiplomuar, të cilët në emër të kauzës islame, përgatisin një skemë që të rinjtë të përgatiten në aspektin psikik për të shkuar atje, në Siri apo vendet tjera të Lindjes së Mesme”, thotë Ali Pajaziti, ligjërues i Shkencave të sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ndërkaq, Bllagoja Markoski nga Forumi Ballkanik për Siguri thotë se shkrimet në disa media se në Maqedoni ekzistojnë kampe të trajnimit për luftëtarët që i bashkohen Shtetit Islamik, mund të jenë reale.

Kjo me vetë faktin se deri më tani janë evidentuar mbi 100 qytetarë të Maqedonisë, që kanë luftuar në radhët e Shtetit Islamik, e të cilët, shton Markoski, paraprakisht është dashur të trajnohen dhe organizohen për të qenë të aftë të përfshihen në luftime.

“Nëse këta persona nuk janë trajnuar në Republikën e Maqedonisë, atëherë këtë gjë e kanë bërë në qendrat trajnuese në vendet e rajonit, para së gjithash mendoj në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë”.

“Megjithëse, e theksoj edhe kundrejt angazhimit të Maqedonisë për të luftuar këtë dukuri, qendra ilegale mbase me përmasa më të vogla mund të gjenden edhe në Maqedoni, me vetë faktin se ne kemi informacione se tërë kohën ka pjesëtarë nga Maqedonia që i bashkëngjiten Shtetit Islamik, ata nga diku rekrutohen, organizohen trajnohen dhe më pas i bashkohen asaj ideologjie”, shprehet Markoski.

Sipas ekspertëve për çështje sigurie, përderisa Maqedonia si shtet nuk është pjesë e strukturave të Bashkimit Evropian, veçanërisht NATO-s, këmbimi i informacioneve për të luftuar shfaqjen e aktiviteteve ekstremiste, realizohet me shumë vështirësi për shkak të procedurave ligjore gjatë shkëmbimit të informacioneve ndërmjet shteteve me karakter të sigurisë së lartë.

Së fundmi, mediat kanë informuar se në fillim të muajit, në Siri e ka humbur jetën dhe një i ri shqiptar nga Saraji i Shkupit, por nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë asnjë informacion për këtë ngjarje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button