Skënder-bast! UEFA: Korçarët trukuan mbi 50 ndeshje; del emri i Bodes

Skandali i trukimit të ndeshjeve të Skënderbeut i cili e la për 1 vit jashtë Ligës së Kampionëve ka marrë përmasa të tjera. UEFA ka publikuar së fundmi emra zyrtarësh të këtij klubi të cilët pas hetimeve të bëra kanë rezultuar të lidhur me kompanitë e basteve.

Në raportin e Inspektorëve të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA, thuhet se gjatë viteve të fundit Skënderbeu ka manipuluar mbi 50 ndeshje ndërkohë që bie në sy dhe emri i ish-ministrit të Financave dhe financuesit të klubit korçar, Rivdan Bode, i cili së bashku me presidentin aktual, Ardijan Takaj dhe ish-presidentin Agim Zeqo, janë personat kryesorë të klubit të lidhur me bastet.

Në raportin e Inspektorëve të UEFA-s shkruhet se Skënderbeu ka qenë i përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në veprimtarinë e fiksimit të ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë 6 viteve të fundit. Janë mbi 50 ndeshje të manipuluara nga Skënderbeu mes të cilave 5 nga Champions League, 2 nga Europa League, 41 Superliga e Kupa e Shqipërisë dhe 6 ndeshje miqësore.

Në atë raport flitet gjatë për ish-ministrin dhe financuesin e klubit korçar, Ridvan Bode, integriteti i të cilit sipas hetuesve të UEFA-s vihet në pikëpyetje pas privatizimit të Lotarisë Kombëtare dhe hetimit për fshehje të borxhit kombëtar.

Aty shkruhet se Bode mendohet të ketë ndikuar në rezultatin e ndeshjeve të Skënderbeut ndaj Dinamos, atë vit ku Skënderbeu në mënyrë të çuditshme i shpëtoi rënies nga kategoria.

Në këtë raport flitet dhe për ndeshjen mes Skënderbeut dhe Shkumbinit, ku donatori kryesor i klubit peqinas është Dashnor Sula, miqësia e të cilit me Boden vjen pasi të dy ishin anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë nga e njëjta parti.

Dy ndeshjet e luajtur nga Skënderbeu kundër këtij klubi u kapën edhe nga BFDS, institucioni që monitoron me algoritëm elektronik trukimin e ndeshjeve.

Vendimi i zbardhur pohon se fatkeqësisht bëhet fjalë jashtë çdo dyshimi për trukim ndeshjesh dhe përjashtim të Skënderbeut nga sezoni I champions lig.

Top Channel ndërkohë kontaktoi Prokurorinë qendrore dhe atë të Korçës. Burime nga kjo e fundit thanë se nuk kane kompetencë për të hetuar rastin, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme është ende duke e shqyrtuar atë, por ende nuk ka marrë një vendim nëse do të hapë apo jo hetimet për këtë skandal të zbardhur në detaje nga UEFA. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button