Sa para prej shtetit janë harxhuar për kandidaturën e Kerimit për sekretar të OKB-së?

Pas votimit të rrethit të katër për kandidatët për sekretar të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila u mbajt dje, kandidati nga Maqedonia, Srgjan Kerim, ka arritur në vendin e katërt. Përpara tij, ende në vendin e parë është Antonio Gutjeresh nga Portugalia, kandidati nga Sllovenia, Mirosllav Lajçak dhe kandidati nga Serbia i cili sipas votave zë pozitën e tretë, Vuk Jeremiç, njofton Portalb.

Diplomati dhe biznesmeni nga Maqedonia, Srgjan Kerim, është kandidati për sekretar të përgjithshëm të OKB-së, i cili është zgjedhur me propozim të Qeverisë së Maqedonisë. Kandidatura është publikuar më 19 shtator të vitit të kaluar.

Arsyetimi i Qeverisë ishte se Kerim është person i vërtet për këtë funksionon dhe se për vendin si Maqedoninë është e rëndësisë së veçantë që të ketë kandidatë për sekretarë të përgjithshëm të OKB-së. Sipas saj, ajo do të ishte njohje e madhe për diplomacinë e Maqedonisë në korniza botërore, nëse kihet parasysh se që të bëhesh njeri i parë i kësaj organizate, nuk është vetëm arritje më prestigjioze, por edhe një nga pozitat më me ndikim në bashkësinë ndërkombëtare.

Në kohën kur ishte publikuar kandidatura e Kerimit, ai ishte ende në pozitën e menaxherit të gazetave të “Media Print Maqedoni” (MPM). Disa muaj më vonë ai ka ikur nga MPM, ndërkaq në shkurt u emërua si këshilltar i kryeministrit, Emil Dimitriev.

Paratë për promovimin e Kerimit i merr Ministria e Punëve të Jashtme

Financimi, logjistika dhe lotimi në garën për njeri të parë të OKB-së, Kerim i fiton nga kasa e shtetit, gjegjësisht nga Buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Se sa para deri më tani ka harxhuar për promovimin e kandidatit maqedonas, deri më tani po mbahet në fshehtësi.Srgjan Kerim 2

Deputetja e LSDM-së, Lidija Dimova, në fjalimin e saj në Kuvend këtë pyetje ia ka drejtuar kryeministrit Dimitrev, transmeton Faktor.

“Sa pari janë harxhuar për fushatën e Srgjan Kerimit që të jetë përfaqësues i Maqedonisë për sekretar gjeneral. Sa persona ka në ekipin e tij? A keni nënshkruar ndonjë marrëveshje me të, kur morët biznesmen që ta bëni kandidat, veçmas duke e pasur parasysh praktikën e vendosjes së 750 mijë eurove në shishe? Gjithashtu nëse dihet se zotëri Kerimi është i njohur për shijen e tij ekstravagante dhe në të gjitha këto shtete ku ka shkuar ka harxhuar para të shtetit dhe vlerësoj se është shumë me rëndësi që të tregoni saktë se sa para janë vendosur në atë funksion. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që të kërkoni nga Enti Shtetëror për Revizion që të bëjë revizion mu për këto mjete që janë harxhuar për zotëri Kerimin”, kërkoi përgjigje deputetja Dimova.

Kryeministri Dimitriev, i cili tani është shef i Kerimit, tha se është pak i habitur nga konteksti se si opozita e sheh procesin e plotë të zgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm dhe rreth kandidaturës së Republikës së Maqedonisë nëpërmjet Srgjan Kerim për këtë pozitë. Dimitriev ka qenë i kënaqur nga pozita e deritanishme në këtë garë, duke e pasur parasysh se Kerim fiton gjithnjë e më shumë përkrahje nga shtetet që janë në Këshillin e Sigurimit dhe votojnë për të.

“Për harxhimet unë mund të ju them se tani për tani i mbulojmë nga Buxheti i MPJ-së. E gjithë puna rreth zgjedhjes për sekretar gjeneral, nuk është përfunduar dhe ndoshta kur të përfundojë e gjithë procedura do t’i tregojmë harxhimet të cilat janë bërë për kandidaturën tonë”, tha Dimitriev duke shtuar se të gjithë kandidatët lobojnë, vizitojnë vende tjera dhe i promovojnë programet e tyre, përcjellë Portalb.

Me emrin e Srgjan Kerimit në Maqedoni janë të lidhura disa afera

Me emrin e Srgjan Kerim në Maqedoni janë të lidhura disa afera dhe spekulime. Për atë flitet se qysh në kohën e ish Jugosllavisë ka qenë udhëheqës i njërës ndër shërbimeve sekrete më elite dhe më të përfolura. Diplomati Srgjan Kerim asnjëherë nuk e ka fshehur prirjen e tij për të qenë elitar dhe luksoz. Gjatë kohës së tij kur e kryente funksionin e ambasadorit në Gjermani, është ndërtuar ambasada më e shtrenjtë e Maqedonisë. Kur ishte ambasador në OKB, ka ndenjur në apartament ku sipas burimeve të atëhershme mediatike qiraja mujore ka kushtuar 14.000 dollarë. Si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka bërë mjaft publicitet për takimet e tij me emra të njohur botërorë, Anxhelina Xholi, Eshli Xhad, Derill Hana etj.

Banesë në New York

Apartament në Menheten me vlerë prej 1.475.000 dollarë, ka blerë Srgjan Kerim, njeriu i parë i “Media Print Maqedoni”, është shkruar në vitin 2012 nëpër mediumet e vendit duke u bazuar nga informatat e ueb faqes për pasuri të patundshmewww.blockshopper.com. Apartamenti gjendet në kompleksin luksoz “Beler apartmans”, në ndërtesën prestigjioze të lagjes Lenoks Hill. Mediumet spekulonin se banesa është blerë në prag të shitjes së kompanisë MPM, biznesmenit Orce Kamçev.

Njeriu i parë i MPM-së, i gazetave me tirazh dhe me ndikim më të madh

Srgjan Kerim nga viti 2003 është bërë njeriu i parë i MPM-së (Media Print Maqedoni), ku si pjesë e saj janë gazetat e përditshme me tirazh dhe me ndikim më të madh në vend, “Dnevnik”, “Vest” dhe “Utrinski Vesnik”. Ai është mik i afërt me Bodo Hombah, i njohur te ne si ish shef i “Paktit për Stabilitet”. Mu nëpërmjet Hombah, grupi MPM është marrë nga manjati mediatik gjerman VAC.

Gazeta

Kerim nuk e ka fshehur afërsinë me partinë në pushtet VMRO-DPMNE

Srgjan Kerim, shpesh mund të shihet në tubimet kryesore të partisë pushtetare VMRO-DPMNE. Ai nuk e mohon afërsinë e tij me anëtarët e partisë, veçmas me ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, si dhe me biznesmenin, Orce Kamçev.

Ai në një intervistë ka thënë që nuk sheh asgjë të keqe se disa mediume që janë nën ombrellën e MPM-së, i përkrahin dhe u japin mbështetje politikave qeveritare. Edhe pse, thotë që “Dnevnik” është i vetmi që është orientuar drejt politikave pro qeveritare. Sipas Kerim, “Utrinski Vesnik” ka qenë më i orientuar nga opozita, ndërkaq “Vest” ka funksionuar ashtu siç ka funksionuar, nënvizon Portalb.

Afera 750 mijë euro në shishe

Srgjan Kerim
Srgjan Kerim

Me Kerim para disa vjetëve është zbuluar afera “750.000 euro në shishe”, por as VAC, pronari i atëhershëm i MPM-së, por as pushteti i Maqedonisë nuk kanë gjetur diçka të gabuar në këtë aferë. Sipas informatave, atëherë në veturën zyrtare të MPM-së, të cilën e ka drejtuar shoferi personal i Kerim, në një shishe të plastikës janë gjetur 750.000 euro në kesh. Srgjan Kerim e ka mohuar përgjegjësinë për rastin i cili ka ndodhur në kufirin hungarez, për të cilën pushteti hungarez e ka alarmuar Drejtorinë e Maqedonisë për parandalim të larjes së parave.

Biografia

Srgjan Kerim është i lindur më 12 dhjetor të vitit 1948 në Shkup. Ai është djali i funksionarit, politikanit Asan Kerim. Ka diplomuar në Fakultetin për Shkenca Ekonomike në Beograd në vitin 1971, ndërkaq në vitin 1982 e ka marrë titullin doktor i shkencave ekonomike. Në periudhën prej vitit 1972-1991 ka qenë profesor në katedrën për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare në Beograd. Ka ligjëruar edhe në Universitetin e Hamburgut dhe New Yorkut. Ka publikuar nëntë libra në fushën e politikes botërore, ekonomisë ndërkombëtare dhe problemet me të rinjtë, por edhe 100 punime shkencore të cilat janë të publikuara në Maqedoni dhe vende tjera, si Gjermani, Francë, Greqi, Austri, Serbi, Mal të Zi dhe Slloveni.

Funksione të cilat i ka kryer

Mes funksioneve të cilat i ka kryer gjatë kohës së karrierës politike në ish Jugosllavi ka qenë, ministër për Marrëdhënie të Jashtme Ekonomike në Qeverinë e Republikës Socialiste të Maqedonisë, në periudhën prej vitit 1986-89, ndërkaq prej vitit 1990-1991 ka punuar në Ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë. Në vitin 1990-1991 ka qenë zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë. Në nëntor të vitit 2000 deri në maj të vitit 2001 ka qenë ministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Në kuadër të karrierës së tij diplomatike nga vitit 1994 deri në vitin 2000 ka qenë ambasador i Republikës së Maqedonisë në Gjermani, ndërkaq prej vitit 1995 deri në vitin 2000, ka qenë i emëruar si ambasador në Zvicër dhe Lihtenshtajn. Nga viti 2001 deri më vitin 2003 ka qenë ambasador i Maqedonisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Kerim në vitet 1999 dhe 2000 ka qenë dhe i dërguar special i koordinatorit të “Paktit për Stabilitet për Juglindjen e Evropës”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button