Arrestohen dhjetë zyrtarë komunal të Prishtinës

Në orët e hershme të së enjtes janë arrestuar dhjetë zyrtarë të komunës së Prishtinës. Burime të Telegrafit bëjnë me dije se në mesin e zyrtarëve të prangosur janë edhe inspektorë të komunës dhe se personat e arrestuar akuzohen për korrupsion dhe krim të organizuar.

Detaje tjera pritet të bëhen të ditura në orët e pasdites.

Ndryshe, edhe Prokuroria e Kosovës konfirmoi se me urdhër të prokurorit vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, janë arrestuar 10 zyrtarë të Komunës së Prishtinës, si dhe një person nga një kompani private e ndërtimit.

“Sot me urdhër të prokurorit vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka arrestuar 10 zyrtarë nga Sektori i ndërtimit i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, prej tyre, shefin e sektorit, një zyrtar për ekzekutim, dhe 8 inspektorë për ndërtim, si dhe pronarin e një kompanie private të ndërtimit”, bëhet e ditur në kumtesë.

Për dhjetë zyrtarët e arrestuar nga Komuna e Prishtinës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer veprën penale, Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, për të arrestuarin e njëmbëdhjetë, (pronari i një kompanie private), ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprën penale Falsifikim i dokumenteve nga neni 398, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i rastit, për të pandehurit, ka urdhëruar ndalimin policor në kohëzgjatje prej 48 orësh.

“Arrestimi i sotëm është rezultat i hetimit paraprak, që është zhvilluar nga shtatori i vitit 2013, lidhur me ndërtimin e objekteve pa leje ndërtimore, në Komunën e Prishtinës. Gjatë kësaj kohe janë siguruar prova të rëndësishme për dyshimin e bazuar se personat e arrestuar kanë kryer veprat penale të lartcekura”, bëhet e ditur.

Lajme të ngjashme

Back to top button