Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Serbia do ta rrisin bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit

Shërbimet policore të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë do ta intensifikojnë bashkëpunimin dhe këmbimin e të dhënave në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Kjo është dakorduar në konferencën e sotme rajonale që po mbahet në Shkup në organizim të Byrosë për Siguri Publike me ndërmjetësim të Misionit të EULEKS-it në Kosovë.

“Terrorizmi dhe krimi i organizuar paraqesin problem dhe kërcënim global. Sulmet terroriste të cilat ndodhën në Francë, Turqi dhe Gjermani dhe të cilat shkaktuan një numër të madh të viktimave njerëz dhe dëme të mëdha materiale paraqesin indikatorë të qartë  se ky fenomen duhet të zgjidhet  në nivel global”, deklaroi shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Oliver Hofman.

Sipas tij për luftë më efikase kundër terrorizmit nevojitet  të rritet bashkëpunimi mes shërbimeve policore dhe të identifikohen mënyrat për këmbim më të shpejtë të informatave.

Për zëvendësdrejtorin e Byrosë për Siguri Publike Besir Deari, terrorizmi dhe krimi i organizuar janë kërcënime të cilat i prekin edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor  dhe për të cilat duhet të vendosen mekanizma efikas për këmbim të të dhënave.

“Kjo është konferenca e parë e këtij lloji, Ideja është çdo vend pjesëmarrës në iniciativë, nëpërmjet rrugës së rotacionit, të organizojë takime të tilla me tema të ndryshme të diskutimit”, tha Deari.

Konferenca e ardhshme në të cilën katër shtetet e Ballkanit Perëndimor do të bisedojnë për tema nga krimi i organizuar dhe terrorizmi do të mbahet në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button