Merko: Ziadin Sela ua ka mbyllur dyert struganëve

Bashkimi Demokratik për Integrim sot hapi shtabin komunal zgjedhor në Kërçovë. Shef i këtij shtabi është Musli Musliu i cili tha se shtabi komunal zgjedhor në Kërçovë i ka ndërmarrë të gjitha masat përgatitore për këto zgjedhje.

Të pranishëm ishin edhe funksionarë të tjerë të BDI-së mes të cilëve edhe Bartësi i listës për Zonën zgjedhore numër 5, Musa Xhaferri dhe koordinatorët e zonës 5 dhe 6, Blerim Bexheti dhe Hazbi Lika.

“Bashkimi Demokratik për Integrim është një forcë politike e cila në bllokun shqiptar nuk ka konkurrencë. Partia jonë është treguar vazhdimisht se ka ditur të projektojë, të realizojë shumë projekte. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë dhe nuk do të mbështesin president të njëanshëm. Ne jemi të bindur se ka ardhur koha që  të ketë ndryshime në sistemin politik në Maqedoni, duhet të respektohet vota dhe vullneti i shqiptarëve.” – tha Xhaferri.

I pranishëm ishte edhe kandidati për deputet në radhët e BDI-së, Ramiz Merko, i cili tha – “Në 8 vitet e mia si kryetar i komunës së Strugës kam qenë edhe nganjëherë mosdëgjues por jo ndaj kryetarit të nderuar Ahmeti. Të marrësh një komunë të lënë pas për vite të tëra nuk ishte e lehtë. Por ja arritëm qëllimit që atë institucion ta bëjmë derë të hapur për të gjithë sidomos për qytetarët shqiptarë që deri atëherë nuk kanë qenë të pranuar në komunë. Sot kryetari i Strugës nga PDSH, përsëri ka mbyllur derën për qytetarët dhe ne i themi që nëse mbyllet një derë në komunën e Strugës ne si subjekt politik, do hapim edhe dyer tjera në parlament, në ministritë dhe gjithkund ku duhet për nevojat e qytetarëve.” – shtoi Merko.

Fjalën e morën edhe koordinatorët e zonave zgjedhore 5 dhe 6, Blerim Bexheti dhe Hazbi Lika.

Lajme të ngjashme

Back to top button