Për USHT-në, BDI kishte premtuar edhe konvikt

Studentët nga Kosova dhe Lugina e Preshevës që studiojnë pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, ende duhet të udhëtojnë çdo ditë ose të sigurojnë ndonjë banesë private për të jetuar.

Musa Xhaferri, zvkryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, gjatë prezantimit të arriturave të BDI-së përmendi se për investime kapitale nga viti 2008 deri në 2014 janë ndarë 13 milion euro dhe janë transferuar objekte ekzistuese në pronësi të USHT-së. Ai rikujtoi se gjatë mandatit të BDI-së u ndërtua objekti i ri i USHT-së në Tetovë.

Megjithatë, ende punë mbetën pa u bërë.
Edhe pse në platformën e Bashkimit Demokratik për Integrim në vitin 2011 u premtua që konvikti i USHT-së do të ndërtohet, deri më tani as nuk është hedhur gurë themeli.

“Me sa di un çdo universitet duhet të sigurojë konvikt për studentët e huaj të cilët studiojnë pranë tij. Me vetë faktin që ka program për regjistrimin e studentëve të huaj, duhet të mundësojë edhe kushte më të mira për ata”, thonë studentët.

Deri më tani ende nuk është caktuar datë se kur do të fillojnë punimet e objektit të premtuar e lëre më se kur do të përfundojnë.

Po ashtu u premtua se USHT do të ketë hapësira dhe standarde të larta në të gjitha studimet e disperzuara, ndërkaq në Shkup, studentët ankohen dhe thonë se objekti ekzistues nuk plotëson as kushtet elementare për zhvillim të studimeve.

“Ne nuk po kërkojmë të mbyllen drejtime, shkaku i hapësirës së pamjaftueshme, por kërkojmë që të kemi kushtet elementare për zhvillimin e studimeve. Për të gjetur klasë të lirë humbim disa minuta nga ligjërata e jonë, nganjëherë ndodh që të mbesim në korridore duke pritur ndonjë klasë të lirohet”, thanë studentët nga Shkupi.

Përveç kushteve të hapësirës, studentët e USHT-së ballafaqohen edhe me probleme të natyrave të ndryshme siç është edhe mungesa e teksteve dhe literaturës, gjë që ndikon dukshëm në zhvillimin e ligjëratave në drejtimet e ndryshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button