Ditët e muzikës maqedonase nisin me koncert nga shqiptarë

Me datë 3 prill, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup, do bëhet hapja solemne e manifestimit “Ditët e Muzikës Maqedone” me pjesëmarrje të Filharmonisë së Maqedonisë dhe pianistëve të shquar nga vendi, të udhëhequr nga dirigjenti zviceran Tomas Hercog. Programi koncertal i kësaj hapjeje solemne, kushtuar muzikës së krijuesve nga Maqedonia, përmban katër koncerte, të cilat do të interpretohen nën titullin “Koncertisimo”.

Përveç “Rapsodisë për Shkupin” për piano dhe orkestër nga A. Xhambazov, Koncertit për piano dhe orkestër nga G. Kolarovski dhe Koncertit për piano dhe orkestër nga P. Shahov, kjo natë do jetë e veçantë edhe për interpretimin për herë të parë të Koncertit për piano dhe Orkestër Simfonike nga kompozitori shqiptar Fatos Lumani.

Gjithashtu, moment tjetër i rëndësishëm për tu përmendur për këtë natë koncertale është edhe fakti që si solist në interpretimin e veprës së F. Lumanit do jetë pianisti Shkëlzen Baftiari, nën shoqërimin e orkestrës së Filharmonisë së Maqedonisë. Bashkëpunimi midis kompozitorit Lumani dhe pianistit Sh. Baftiari ka ekzistuar edhe në realizimet e viteve të mëparshme të këtij manifestimi.

Por, këtë vit, ky bashkëpunim do të përfaqësohet me vepër të një forme madhështore nga ky krijues, si ç’është koncerti instrumental dhe me formacion të madh orkestral.
“Ditët e Muzikës Maqedone” do mbahet nga 3 deri 14 prill. Organizues i këtij manifestimi është Shoqata e Kompozitorëve të Maqedonisë, ndërsa hyrja do të jetë e lirë.     

 

Lajme të ngjashme

Back to top button