Egjipt: Udhëheqësi i Vëllazërisë e quan Sisin tiran

Udhëheqësi i lartë i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit ka akuzuar Abdel Fatah al- Sisi, ish-shefin e ushtrisë që pritet gjerësisht të bëhet presidenti i ardhshëm i vendit, se është një tiran dhe  tha se ai nuk do të arrijë të mbajë pushtetin.

Duke folur të martën nga një kabinë xhami në një sallë gjyqi, ku ai përballet me akuza për nxitje të dhunës, Muhamed Bedie gjithashtu hodhi poshtë akuzat nga qeveria e mbështetur nga ushtria se gjoja grupi është i angazhuar në aktivitete terroriste.

“Njerëzit nuk do ta pranojnë një tiran të ushtrisë,” ka thënë Bedie duke iu referuar Sisit, i cili dha dorëheqjen nga ushtria të mërkurën për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale më 26-27 maj.

Sisi rrëzoi presidentin Muhamed Mursi, i cili ishte zgjedhur me vota të lira në vitin 2012.

Rrëzimi i tij u pasua me një prej goditjeve më të rënda të forcave të sigurisë ndaj Vëllazërisë në historinë e tyre 86-vjeçare. Mijëra përkrahës të saj u vranë dhe mijëra të tjerë duke përfshirë Mursin u arrestuan.

“Grupi ka më shumë se 85 vjet dhe asnjëherë nuk është angazhuar në aktivitete terroriste. Autoritetet e tanishme janë terroristë. Sisi është ai që ka prodhuar terrorizmin.”

Vëllazëria ka akuzuar shtetin egjiptian për terrorizëm pas vrasjes dhe arrestimit të mijëra njerëzve, dhe se po abuzon me të drejtat e njeriut.

“Autoritetet egjiptiane janë ata që po vrasin popullin egjiptian,” tha Bedie.

Vetëm 33 nga 51 të pandehurit u paraqitën në gjykatë të martën, ndërsa 18 të tjerë ishin duke u gjykuar në mungesë./ Mesazhi

Lajme të ngjashme

Back to top button