Xhamia e Çairit, në fazën përfundimtare të ndërtimit

Kryetari i Komunës Çair Izet Mexhiti dhe ai i Komunës Dibër Ruzhdi Lata kanë vizituar në shoqërinë e myftiut të Shkupit xhaminë në ndërtim, në lagjen Çair.

Mexhiti dhe Lata patën mundësinë të ndjekin së afërmi punimet ndërtimore që janë në fazë të fundit, ndërsa u shprehën se, ky objekt i shenjtë po rikthen pamjen e vjetër të kryeqytetit. 

Mexhiti njoftoi se komuna që drejton ai ka mundësuar të gjitha lehtësirat administrative për të përmbushur kërkesat e qytetarëve, besimtarë myslimanë.

“Në këtë lagje, në kohën e monizmit, nuk ka pasur xhami. Në bashkëpunim me Bashkësinë Fetare Islame dhe me donatorin nga Çairi, arritëm që të realizojmë këtë projekt që ishte një kërkesë e kamotshme me dekada të tëra e popullatës. Sot, jemi këtu për të parë se si shkojnë punimet. Shihet që mbi 90 për qind e punimeve janë kryer dhe me këtë po realizohet një nevojë e kërkesë e kamotshme”, tha Mexhiti. 

Kreu i Dibrës dhe ish-myfti  Lata u shpreh se, xhamitë janë simboli i kryeqytetit dhe se ato bashkojnë njerëzit. 
“Shkupi do të marrë dalëngadalë pamjen historike që e ka pasur të vetën. Shkupi nuk ka pamje pa xhami. Xhamia është simbol i Shkupit dhe vazhdon të mbetet simbol i këtyre njerëzve me përkrahjen e të gjithë neve…Roli i komunave është roli kryesor krahasuar me të kaluarën, ngase më në fund gjithçka mund të kemi, por pa lejen e komunës nuk mund të ndërtojmë”, tha Lata. 
Financimi i xhamisë bëhet nga një donator privat, ndërsa të gjitha procedurat e ndërtimit janë fryt i bashkëpunimit mes Komunës Çair dhe Bashkësisë Fetare Islame. 

Lajme të ngjashme

Back to top button