ASHAM kontroverse, cili është roli i shqiptarëve në Akademi?

Nuk është hera e parë që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë të del me qëndrime apo projekte kontroverse. Pas projektit me Encikopedinë e Maqedonisë, ku tjetërsohet historia e shqiptarëve, kryetari i ASHAM, Taki Fiti tha se Nëna Terezë rrjedh nga një familje etnikisht e përzier.
Akademia nuk e sheh të arsyeshme as uebsajtin ta azhurnojë në gjuhën shqipe, por ai është vetëm në gjuhën maqedonase dhe anglishte.

ASHAM në përbërjen e saj ka edhe anëtarë shqiptarë; Luan Starova nënkryetar, Alajdin Abazi anëtar i kryesisë, Abdylmenaf Bexheti anëtar i rregullt dhe Izet Zeqiri anëtar korrespondent, andaj lind pyetja se cili është roli i tyre në Akademi dhe se a kanë të njëjtit fuqi t’i prevenojnë sulmet kur vinë nga anëtarët maqedonas apo vet Akademia?!
Pse qëndrojnë në këto pozita kur duhet të distancohen shumë shpesh nga e njëjta?

“Nuk ishte sulm, por tentim që të përvetësohet figura e Nënës Terezë. Fjalët e tij nuk bazohen në ndonjë hulumtim shkencor të Akademisë. Fjalët e tij bazohen në disa shkrime të historisë, së paku ai u shpreh ashtu. Mirëpo, vetë Nëna Terëzë, në disa raste, e ka treguar identitetin e saj, se është shqiptare e fesë katolike. Ne reaguam që ta dinë ai se ne nuk pajtohemi me qëndrimet e tij. Ai mund të thotë se është qëndrim personal. Akademia nuk ka ndonjë punim, qëndrim, të vecantë. Është vetëm mendim i tij, por ai duhet të ketë kujdes, se është kryetar dhe na përfaqëson të gjithë neve”, deklaroi për Portalb akademiku Alajdin Abazi.

Në pyetjen e redaksisë së Portalb-it se a mund të krijojnë barriera për t’u mbrojtur nga deklaratat kontroverse të Akademisë në dëm të shqiptarëve, Abazi me përgjigje:

“Ne kemi pas rastin e Enciklopedisë, ajo është tërhequr prej përdorimit. Megjithatë, askush nuk financon që të bëhet një rishqyrtim. Në bashkëpunim me Akademinë e Shqipërisë dhe Kosovës, unë instistova, formuam Komision të përbashkët, por ka mospajtime. Kur ka mospajtime atëhere punët nuk ecin”, sqaroi për Portalb.mk Abazi.

Akademiku Abdylmenaf  Bexheti në deklaratën e tij për Portalb thekson se, fatkeqësisht AShAM akoma ka recidive nga sistemi dhe mentaliteti vjetër që vështirë tejkalojnë amzën e të mbeturit në shërbim të politikës ditore. Sipas tij, ata akoma nuk arrijnë t’i ndajnë faktet shkencore nga preferencat dhe konjunkturat e tyre politike.

“Akademikët shqiptarë në të, individualisht përgjigjen për veprimtarinë e tyre shkencore dhe qëndrimet e bazuara në fakte me relevancë shkencore. Unë si akademik, besoj edhe kolegët e mi, sa herë që jap qëndrime të mia, nuk lejoj që askush të interferojë në ato gjykime, përveç oponencës shkencore nëse e kanë! Kjo gjithashtu vlen reciprokisht. Asnjë nga ne, nuk mund të mbajë përgjegjësi për deklarata personale të kujtdo prej tyre. Por ne rastin konkret, rreth deklaratës nebulotike të kryetarit të saj është diçka tjetër. Ai, dhe kushdo tjetër që përfaqëson institucionin, nuk guxojnë të bëjnë deklarata mbi çështje aq subtile dhe t’i shtrembërojnë faktet e pakontestueshme. Po të funksionoje institucioni si duhet, ai duheshte fjalimin e tij ta kalojë dhe aprovojë paraprakisht nga kryesia e ngushtë dhe e kryesia e gjerë e saj. Ne nuk kemi mekanizëm ta parandalojmë, nëse kryetari saj atë nuk e ka bë”, theksoi për Portalb akademiku Bexheti.

“E vetmja mundësi është të distancohemi dhe të kërkojmë përgjegjësi për këtë qëndrim, gjë të cilën e bëmë, së paku para se të reagojë çdo “shkencëtar” tjetër shqiptar. Sërish më vjen keq që ishin të zhgënjyer për reagimin e “vonuar” vetëm disa orë pas prononcimit të tij”, përfundoi akademiku.

Sa i përket Izet Zeqirit, ai nuk deshi të përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk.

Anëtarët shqiptarë të ASHAM kanë reaguar edhe bashkarisht nëpërmes një deklarate të shkurtër publike, në lidhje me qëndrimin e akademikut Taki Fiti./PORTALB

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button