“Turqia e Erdoganit nuk është pjesë e Evropës”

Ndalimi i Twitter, kërcënimi i opozitës – për sekretarin e përgjithshëm të CSU Andreas Scheuer kupa është mbushur për Turqinë. Anëtarësim të Turqisë në BE nuk mund të ketë. Reagimet nga Berlini janë të përmbajtura.

Ashtu si është në natyrën e saj, kryetarja e grupit të landit në Berlin e partisë Kristiansociale (CSU), Gerda Hasselfeld, u përpoq t’i ulte gjakrat ose më mirë të mos i linte të ndizeshin fare. Të hënën në mbrëmjë sekretari i përgjithshëm i CSU-së Andreas Scheuer kërkoi ndalimin e negociatave më Turqinë për anëtarësimin e saj Në BE: “Ngadalë po bëhet e qartë se Turqia e Erdoganit nuk e ka vendin në Evropë”, tha në Mynih sekretari i përgjithshëm i CSU-së. “Një vend, në të cilin qeveria i kërcënon kritikët e saj dhe shkel me këmbë vlerat demokratike, nuk mund të bëjë pjesë në Evropë.” Më shumë se një partneritet i privilegjuar nuk shtrohet për diskutim për Turqinë në këto kushte. CSU fton secilin, që ka luftuar për një anëtarësi të plotë të Turqisë “të largohet më në fund prej kësaj dhe t’i bashkohet kursit të drejtë të CSU-së”. Kjo vërejtje bëhet në drejtim të SPD dhe ekologjistëve. Kancelarja dhe kryetarja e Partisë Kristiandemokrate Angela Merkel mbështet ashtu si dhe CSU një partneritet të privilegjuar.

Nevojë akute për veprim ajo nuk sheh, tha Hasselfeld të martën (1.4.) para gazetarëve. “Qendrimi ynë ka qenë që në fillim që Turqia nuk duhet të pranohet në BE dhe ndjekim parimin e partneritetit të privilegjuar.” Ajo që po ndodh aktualisht në Turqi, e mbush atë me shqetësim. Zhvillimet do të ndiqen me vëmendje, tha Hasselfeld. Më shumë se kaq ajo nuk tha, dhe gazetarët nuk deshën të bënin pyetje të tjera.

Edhe tek partia simotër CDU reagimet ishin të përmbajtura. Drejtuesi i punës së grupit parlamentar të Unionit, Michael Grosse-Brëmer, u shpreh megjithatë me nota kritike për kufizimet e rrjeteve sociale si Tëitter dhe Facebook në Turqi. Në një demokraci duhet të jetë e mundur që përmes këtyre kandaleve njerëzit të shprehin mendimin e tyre, tha Grosse-Brëmer në Berlin.

“Ky nuk është imazhi i një Turqie moderne”

Nga partitë e tjera në Bundestag, SPD, ekologjistët dhe të partia E Majta, fillimisht nuk pati reagime ndaj deklaratës së Scheuer. Turqia megjithatë këto ditë është në axhendën evropiane. Natën e së hënës kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan në fjalimin e tij pas fitores në zgjedhjet komunale, tha se do t’i ndjekë kundërshtarët, “deri në skutën më të largët”. Ata duhet “të paguajnë çmimin” për fajësimet dhe kritikën e muajve të fundit.

Zv/kryetari i grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag, Rolf Mützenich, tha në një intervistë në gazetë, se kërcënimet e Erdoganit në drejtim të opozitës nuk janë “në përputhje me imazhin e një Turqie moderne”. Eshtë e nevojshme të tematizohen respektimi i të drejtave themelore dhe lirisë së mendimit në negociatat e anëtarësimit me BE-në. Zëdhënësi për politikë të jashtme i grupit parlamentar të Unionit në Bundestag Philipp Mißfelder (CDU) u shpreh i shqetësuar. “Raporti me partnerin në NATO është i vështirë, pasi kemi nevojë për Turqinë si aleate e rëndësishme dhe nuk mund t’i shohim me indiferencë zhvillimet në vend.”

Alternativë anëtarësimi në EëR?

Një anëtarësim i mundshëm në BE vendoset në Bruksel. Vetëm vjeshtën e kaluar pas një ndërprerjeje trevjecare rifilluan negociatat për anëtarësim. Ato kanë filluar në vitin 2005. Bisedimet janë të ndara në 35 kapituj, më shumë se një duzinë e tyre janë të bllokuara për shkak të çështjes së pazgjidhur të Qipros. Turqia mban të pushtuar që nga viti 1974 pjesën veriore të ishullit në Mesdhe.

“Nuk mund të pranohet me indiferencë”, kur një çështje me vlerë themelore ka ndryshime të mëdha mes Turqisë dhe BE-së, tha ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn për gazetën berlineze “Tagesspiegel”. Por Asselborn e refuzoi kërkesën e politikanit të CSU-së Scheuer. Ai nuk bashkohet me atë pozicion.

Kryetari i komisionit për politikën e jashtme në Parlamentin Evropian, Elmar Brok, në të njëjtën gazetë bëri një kundërpropozim. Ka ardhur koha të mendohet, nëse një anëtarësim i Turqisë në Hapësirën Ekonomike Evropiane (EëR) do të ishte një zgjidhje me më shumë kuptim për Turqinë në periudhë afatmesme. Por, relativizoi Brok, me këtë nuk përjashtohet një anëtarësim i mëvonshëm në BE. Në EëR bëjnë pjesë edhe shtete, të cilat nuk janë anëtare të BE-së, si p.sh. Norvegjia.

Kritikë nga Google

Shqetësim ka shprehur edhe Google. Koncerni kalifornian sipas të dhënave të veta ka marrë shumë sinjale se qeveria në Ankara devijon kërkesat në faqe të përdoruesve të Google në Turqi. “Shumica” e operatorëve turq të internetit kanë manipuluar të ashtuquajtur “servera DNS”, shkruante inxhinieri i Google Steven Carstensen në fundjavë në blogun e firmës.

“Përfytyroni që dikush e zëvendëson librin tuaj të telefonit me një tjetër, në mënyrë që të duket njësoj si më parë, por të tregojë numrat e gabuar”, shkruante Carstensen. Qeveria kështu mund të bllokojë aksesin e përdoruesve në faqe të padëshëruara interneti.(DW)

Lajme të ngjashme

Back to top button