Vdekja e shqiptarit, shefi i rojeve: Unë e rraha dhe e torturova

Gjatë hetimit të vdekjes së Ilia Karelit nga Kontrolli i Brendshëm i Policisë së Greqisë së Veriut, janë dhënë dëshmi dhe fakte që hedhin shumë dritë mbi të vërtetën për dhunën e ushtruar mbi shqiptarin.

Sipas një dëshmie, shefi i rojeve të brendshme të burgut, Hari Konsolidis, që tashmë ndodhet i shtruar në psikiatrinë e Serresit, ka pranuar para kolegëve të tij në polici, se e ka rrahur dhe torturuar shqiptarin brenda në burgun e Nigritas. Ai ka pranuar se në torturë ishin edhe 9 roje të tjera, 7 nga të cilët e mohuan pjesëmarrjen, ndërsa 2 e pranuan fajin e tyre.

Kur shefi i rojeve të brendshme Konsolidis mësoi se do arrestohej tentoi të vetëvritej, por u shpëtua nga kolegët. Mësohet se i ka telefonuar gruas dhe i ka kërkuar falje, më pas ka tentuar vetëvrasjen. Aktualisht ndodhet i paraburgosur në klinikën psikiatrike të spitalit të Serresit për trajtim.

Nga ana tjetër policët e rajonit të Iteas deklaruan se ” Ilia Kareli në asnjë rast nuk u prek gjatë qëndrimit të tij në mjediset e policisë”. Sipas zyrtarëve të kësaj policie, “kur Kareli hyri në rajon, kishte shenja të dukshme në duar dhe kokë. Ai ishte i heshtur dhe i kërkoi vetëm pak ujë. Oficeri që e mori në dorëzim ka regjistruar të gjitha goditjet dhe ka bërë një raport”, thonë zyrtarët e policisë së Iteas për shtypin grek.

Sot pritet të kryhen arrestimet e 8 gardianëve të burgut të Nigritas në Serres, kundër të cilëve është lëshuar urdhër arresti për torturimin deri në vdekje të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli.

Policia greke i la të lirë 3 gardianët e burgut të Nigritas, të cilët u ndaluan dje lidhur me vdekjen nga dhuna të shqiptarit Ilia Kareli. Sipas policisë, duhet më tepër kohë të përfundojnë procedurat për çështjen. Dosja i ka kaluar prokurorisë dhe pritet një urdhër i dytë.

Ndaj zyrtarëve të burgut rendon akuza për rrahje dhe torturë me pasojë vdekjen, plagosje të rëndë dhe dëmtime të rënda të qëllimshme.

Në raportin e prokurorisë vihet në dukje se në bazë të hetimeve, vendi dhe koha e kryerjes së goditjeve vdekjeprurëse, përkon me qëndrimin e të dënuarit brenda territorit të Serresit, gjë që shkarkon nga përgjegjësia për torturimin që shkaktoi vdekjen, nga gardianët e burgut Malandrino dhe policët e rajonit të Iteas.

Konsulli shqiptar në Selanik kontakton me autoritetet hetimore

Përfaqësuesi i qeverisë shqiptarë, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik Riza Poda vijon kontaktet me autoritetet hetimore për cështjen e vdekjes së shqiptarit Ilia Kareli. Poda ka kontaktur me prokurorin e Serresit si dhe drejtorin e Kontrollit të Brendshëm të policisë, që zhvilloi hetimet. Sipas Podës, autoritetet greke kanë siguruar se hetimet vijojnë me intensitet për nxjerrjen e përgjegjësve do të ketë arrestime dhe ndëshkime për vdekjen e dhunshme të shqiptarit.

Ministria greke e Drejtësisë: Përgjegjësit do ndëshkohen

Ministria e Drejtësisë në një deklaratë e cilëson akt mizor, çnjerëzor dhe monstruoz të zyrtarëve të shtetit, të cilët kanë shkelur konceptin e sundimit të ligjit dhe detyrën për të mbrojtur jetën e njeriut. “Sjellje të tilla që dalin nga vitet më të errëta të histories, do të marrin përgjigjen e tyre nga shteti dhe Drejtësia greke. Ligji do të zbatohet në mënyrë shembullore mbi çdo person tjetër përgjegjës”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Ministrisë Marino Skandamis.(BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button