Shenjtorja dhe idiotët e talentuar

 

Sipas elitave dhe mediave maqedonase nëse shqiptari e bën një krim, atëherë nuk është vetëm kriminel, por është kriminel shqiptar. Nëse një shqiptare shpallet shenjtore, atëherë ajo nuk mund të jetë vetëm shqiptare. Mund të jetë pjesërisht shqiptare. Mund të jetë pa etni. Mund të jetë qytetare e botës. Assesi vetëm shqiptare. Shenjtorja Terezë, sipas kësaj logjike, nuk duhet të jetë shqiptare. Dhe nëse është, atëherë duhet që t’i mohohet origjina. Nëse jo krejt, atëherë pjesërisht.

Asgjë e keqe edhe nëse do të ishte etnikisht e përzier. Kemi shumë personalitete të kulturës sonë që nuk ishin “gjakpastër”, por duhet t’u jemi mirënjohës përgjithmonë. Kemi shumë shqiptarë që u kanë dhënë vlera kulturave të tjera. Por të kontestosh diçka që nuk mund të kontestohet kjo është vjedhje dhe gënjeshtër.

Kryetari i Akademisë Maqedonase, ish-ministër i “partisë qytetare”, e kontestoi prejardhjen e Nënës Terezë. Dhelpërisht kështu foli edhe ministrja e kulturës, të cilës nuk i shkon goja ta thotë se e shenjtëruara është shqiptare. “Qenka e të gjithëve”. Po është e të gjithëve, por jo edhe rrencave. Më së paku u përket atyre që bëjnë kinse e duan, por me kushtin që mos të quhet shqiptare.

Në Muzeun e Nënë Terezës, në Shkup, të punësuarit maqedonas dhe serbë, flasin për “shkupjanen” pa e përmendur identitetin e saj kombëtar. Shtiren se e duan, por nuk e respektojnë kombin dhe gjuhën e saj. Mund të shkruhen mbishkrimet në çdo gjuhë të botës, por jo edhe në shqip. Për çfarë dashurie e humanizmi flasin?

Vetë Nëna Terezë ka thënë se është shqiptare. A duhet më tepër se sa kaq? Apo as kjo nuk u mjafton rrencave. Mediat mund të shumëfishojnë lloj – lloj idiotësish nëpërmjet idiotëve të talentuar natyror, por nuk mund që të shenjtoren ta shpallin rrenacake dhe të bëjnë kinse e respektojnë si humaniste. Ajo e ka thënë se është shqiptare. Pra ose gënjeni ju që e mohoni origjinën e saj ose ka gënjyer Nëna Terezë që ka thënë se është shqiptare. Kompromis nuk ka dhe nuk ka për të pasur për jetë të jetëve. Se është shqiptare e thotë e gjithë bota. Po edhe sikur bota ta thoshte të kundërtën është ajo që tha se është shqiptare. Origjina e saj nuk e dëmton askënd, as maqedonasit, ashtu sikurse shqiptarët nuk janë dëmtuar prej humanistëve me origjinë joshqiptare, ashtu sikurse nuk do të dëmtoheshin nëse nesër një maqedonas(e) do të shpallej i(e) shenjtë.

Çdokush ka të drejtë që të besojë se kultura e tij është e vlefshme, thotë Tejlori. Këtë të drejtë e kanë edhe maqedonasit. Po këtë kryefjalë nuk duan që ta kuptojnë elitat maqedonase. Mjerisht! Ata nuk kanë të drejtë të thirren në humanizmin e shenjtores, sepse ia mohojnë origjinën kombëtare.

Do të ishte ndjenjë pajtuese nëse elitat maqedonase do ta theksonin se Gonxhe Bojaxhiu është shqiptare. Kjo është logjikë afruese që i duhet Maqedonisë dhe jo logjika e mohimit të asaj që s’mund të mohohet – identitetit kombëtar të Shenjtores.

Kaq për “humanistët”, tani pak për liderthët shqiptarë në Maqedoni, që nuk morën pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë. Kinse për parime! Sikur të ishte shpallur i shenjtë Gruevski, atëherë liderthët tanë do të shkonin edhe në Moskë për ta nderuar. Ata që kanë koketuar e koketojnë me kryetarin e shtetit, që na e zgjodhën në dy mandate, tani bëjnë kinse nuk e njohin dhe na shesin moral e parime.

Këta nuk më përfaqësojnë. As ata që nuk kanë kurrfarë ndjenje ndaj harmonisë fetare.

Unë shpreh respekt të thellë ndaj disa hoxhallarëve tanë, njërin prej të cilëve e kam mik, që dhanë deklarata mbresëlënëse, duke e çmuar veprën e Nënës Terezë dhe duke e nderuar edhe besimin e saj. Ne e respektojmë Nënën Terezë si shqiptarë, e respektojmë si vlerë tonën dhe si vlerë të botës, sikurse i kemi respektuar dhe duhet t’i respektojmë shqiptarët e besimit mysliman, që na kanë përfaqësuar dhe na përfaqësojnë nëpër botë. Pa asnjë paragjykim. Nuk mund ta mohojmë realitetin tonë. Jemi komb që si kod identitar e ka harmoninë fetare. Dhe këtë vlerë tonën të përbashkët, të pjesëtarëve të të gjithë besimeve, duhet ta respektojmë e ta afirmojmë. Si komb i vogël dhe me histori tragjike kemi nevojë për imazh të mirë, të cilin e krijojnë njerëzit e mëdhenj të kombit. Jo për inat të të tjerëve. Jo për ksenofobi. Duhet afirmuar, aq më shumë, kur bibliotekat e botës janë të stërmbushura me libra propagandistikë kundër nesh, shkruar nga mendjet e ngjashme si të atyre që bëjnë kinse e nderojnë Nënën Tereze, por jo dhe gjuhën e kombin e saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button