Tramp hiperaktiv, Klinton fle: Avantazhi i Klintonit ngushtohet në 3%

Rikthimi i Trampit. Nuk kanë kaluar as një muaj qëkur Klinton udhëhiqte bindshëm nëpër anketa saqë dukej sikur ka fitoren e garantuar, e ndërkohë gara përsëri është ngushtuar e është bërë e paparashikueshme. Nga një avantazh mesatar prej 6 pikësh që kishte në fillim të gushtit, e që në disa anketa madje arrinte 10 pikë, avantazhi i Klintonit tani është reduktuar në rreth 3 pikë. Për herë të parë po paraqiten anketues tejet relevantë, si CNN, që tregojnë se Trampin po udhëheq për momentin me 2 pikë. Qartazi pas paraqitjes së mirë të Klintonit në konventë dhe gafeve të njëpasnjëshme të Trampit, gjithçka ka ndryshuar në fund të gushtit – fillim të shtatorit. E për këtë nuk është meritor Trampi aq sa është fajtore Klintoni dhe strategjia e saj për të fituar presidencën.

Klintoni “ruan rezultatin”. Pas udhëheqjes bindëse kampi i Klintonit si duket ka vendosur të përdorë strategjinë e “humbjes së kohës” apo “ruajtjes së rezultatit”. Njëlloj si në sport, logjika e strategjisë ishte që Klinton mos ndërmarë ndonjë hap të veçantë, të lejojë Trampin të vazhdojë të bëjë gafe dhe të ruajë këtë avantazh deri në ditën e zgjedhjeve.

Në përputhje me strategjinë është edhe antipatia e njohur e Klintonit për gazetarët. Ndryshe nga Tramp e politikanë tjerë Klinton nuk ka mbajtur pres-konferencë, as nuk ka dhënë intervistë 9 muajt e fundit. Dy javët e fundit ajo është zhdukur totalisht nga skena, nuk ka mbajtur as mitingje, as nuk është paraqitur në publik, duke jua lënë këtë punë surrogatëve si nënkryetari aktual Bajden dhe nënkryetari i saj Kejn.

Këtë strategji e ka rrëzuar poshtë Trampi i cili nuk ka bërë ndonjë gaf të ri, madje ka patur disa paraqitje të mira. Si kundërpërgjigje Klinton ka mbajtur dje përfundimisht ka mbajtur pres-konferencë dhe i është rikthyer mitingjeve dy ditët e fundit.

Një Tramp i ri, hiperaktiv në fushatë. Pas ndryshimit të ekipit udhëheqës Tramp ka filluar të paraqesë një pasqyrë tjetër para publikut. Ai në përgjithësi po tregohet më i matur, ka mbajtur disa fjalime me substancë dhe propozime konkrete, madje flet duke lexuar nga teleprompti. Por kontrasti më i madh i tij me Klintonin është prezenca e tij konstante në publik. Nuk ka ditë që Tramp nuk jep ndonjë intervistë, nuk ju drejtohet simpatizantëve nëpërmjet rrjeteve sociale apo nuk mban fjalime e tubime. Në një ditë të vetme ai ka mbajtur miting në shtetin Uashington, ka udhëtuar në takim me presidentin meksikan Enriko Nieto në Meksiko Siti dhe është kthyer në SHBA ku ka mbajtur miting me temë imigracionin në Arizona. Si rezultat i këtyre aktiviteteve, sidomos pres-konferencës së përbashkët me presidentin meksikan, Tramp përnjëherë duket më presidencial dhe po shpërblehet nga votuesit me ngjitje në anketa dhe afrim drejt Klintonit. Patjetër duhet të thuhet se Tramp veçmë i kishte vënë kritere të ulëta vetvetes, por më me rëndësi gjithsesi është percepcioni te votuesit.

Anketat sot. Një anketë e CNN dje i jepte Trampit përparësi dy pikëshe. Megjithatë një sërë anketash tjera akoma nxjerrin Klintonin përpara, por me një rezultat tejet më të ngushtë se më parë. Si zakonisht po japim rezultatet e modeleve të agregatorëve RCP, HuffPost dhe 538.

Modeli Klinton Tramp Diferenca Diferenca 19 gusht
RCP 46.2% 42.9% Klinton +3.3 Klinton +5.8
HuffPost 47.8% 42.4% Klinton +5.4 Klinton +8.6
538 47.2% 44.4% Klinton +2.8 Klinton +4.1
Gjasat – bastoret 25% 75% Klinton +50 Klinton +58

 

Anketat me kandidatin e tretë. Rrënia e Klintonit është edhe më shqetësuese në anketat ku përfshihet edhe kandidati libertarian Geri Xhonson, i cili poashtu garon në të 50 shtetet.

Modeli Klinton Tramp Xhonson Diferenca
RCP 41.4% 39.0% 8.1% Klinton +3.3
HuffPost 42.1% 37.4% 8.7% Klinton +5.4
538 47.2% 44.4% 7.0% Klinton +2.8

 

Xhonson po bën fushatë tejet të fortë për një kandidat të tretë dhe nëse qëndron në këto shifra mund të llogarisë në rreth 10 milionë vota në zgjedhje. Si duket ai po merr votues nga të dy anët, por dëmton më tepër Klintonin.

 

Anketat në shtetet kyçe. Presidentin amerikan e zgjedh kolegji elektoral i përbërë nga elektorë të 50 shteteve. Prandaj më me rëndësi se udhëheqja në nivel nacional është situata me shtetet kyçe që do të vendosin presidencën.

 

Shteti Diferenca sot Diferenca 19 gusht
Florida Klinton +0.8 Klinton +1.8
Ohajo Klinton +0.1 Klinton +1.5
Pensilvania Klinton +3.5 Klinton +4.8
Virxhinia Klinton +5.4 Klinton +6.4
Nevada Klinton +2.7 Klinton +2.9
Ajova Tramp +1.6 Klinton +1.3

Klinton akoma ka komoditet në matematikën e kolegjit elektoral, por epërsia e saj është ulur ndjeshëm në disa shtete. Në Ajovën e vogël Trampi ka kaluar në avantazh. Njëkohësisht duket se në garë mund të jenë edhe disa shtete tjera që më parë konsideroheshin si të sigurta për njërën palë, si Karolina e Veriut, Uiskonsin, Miçigen e Arizona.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button