Edhe dy super duele, PSG – Chelsea dhe Real -Dortmund

Është përsëri Borussia Dortmund që del pengesë për Real Madrid, këtë herë në fazën çerekfinale  të Champions Ligë. Sezonin e kaluar ekipi gjerman arriti të eliminonte atë spanjoll. Këtë vit Real drejtohet nga Carlo Ancelotti dhe nuk ka asnjë humbje në Champions.

Trajneri i Realit të Madridit, Carlo Anceloti : “Do të përpiqemi të luajmë një ndeshje në sulm pasi na duhet një rezultat pozitiv. Megjithatë ne duhet të tregohemi të kujdeshëm dhe të ruhemi ndaj kundërsulmeve të tyre”.
Ndryshimin në lojën e kundërshtarit e sheh Jurgen Klopp. “Real Madrid është më i zhdërvjellët. Shpejtësia e tyre është befasuese. Vitin e kaluar e eliminuam Real dhe do të përpiqemi ta bëjmë përsëri”, është shprehur trajneri i Borrusia Dortmund, Jurgen Klopp.

Të dy ekipet kanë mungesa. Te Reali problemi i fundit është Marcelo i dëmtuar, ndërsa te Borussia te Lewandowski i pezulluar është shqetësimi më i madh për Klopp. 

Një tjetër sfidë do të luhet në “Parc des Princes”. Paris Saint-Germain do të presë Chelsea. Ekipi francez kërkon të lërë shenjë në këtë aktivitet edhe pse kualifikimi në çerekfinale është një arritje e madhe.

Trajneri i PSG, Laurent Blanc: “Chelsea dhe Paris kanë mënyra të ndryshme loje. Ata luajnë në kundërsulm, kurse ne qarkullojmë më shumë topin. Cili stil do të jetë më i vlefshmi? Do të shohim çdo të ndodhë në këto dy ndeshje, por ne do të qëndrojmë në mënyrën tonë”.

Megjithatë edhe Jose Mounrinho nuk e nënvlerëson kundërshtarin.“Besojmë në atë që bëjmë. Nuk besoj se përvoja ka shumë rëndësi. Paris Saint-Germain nuk ka aq përvojë sa Chelsea, por ka lojtarë ekspertë në të tillë aktivitete”, ka thënë trajneri i Chelsea, Jose Mourinho.

Kjo është hera e parë që Paris Saint-Germain dhe Chelsea përballen në një sfidë për kupat e Europës. Të dy takimet nisin në orën 20:45.

Lajme të ngjashme

Back to top button