Këshilli i protestave reagon, Ademi nuk e mban fjalën për mbylljen e Jugohromit

Këshilli i protestave “Stop ndotjes kancerogjene” ka reaguar lidhur me vazhdimin e afatit për ndotësit e mëdhenj nga ana e Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Qeverisë.

Sipas tyre, ky vazhdim nuk është asgjë tjetër përveçse tallje dhe moskujdes për shëndetin e qindra mijëra qytetarëve që i janë të ekspozuar ndotjes kancerogjene. “Dëshirojmë të rikujtojmë opinionin se për përmbushjen e standardeve ekologjike këto ndotës kanë pasur një afat gati 10-vjeçar.

Andaj, vazhdimi i afatit për 2 vjet nuk është asgjë tjetër vetëm se blerje kohe dhe një mundësi për këto kapacitete industriale të punojnë derisa të kenë fitime marramendëse”, thonë nga Këshilli.

Si Këshill ata kanë drejtuar disa pyetje për kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe për ministrin e Ambientit Jetësor, Abdilaqim Ademi si vijon:

Pse nuk u janë shqiptuar gjoba këtyre kompanive për mospërmbushje të standardeve ekologjike, edhe pse kjo është në kompetencë të inspektoratit të Ministrisë së Ambientit Jetësor?

Si është e mundur që këto kapacitete industriale të mos kenë lëvizur nga vendi në drejtim të vënies së filtrave, a inspektoratet e Qeverisë dhe Ministrisë kompetente të mos kenë hetuar këtë vite me radhë?

Pse ju, Ademi nuk e mbani fjalën se do të mbyllni ‘Jugohromin’ dhe ndotësit tjerë nëse deri më 1 prill nuk plotësojnë standardet?

Pse ju , Gruevski shtireni kinse nuk e dini se banorët e komunës së Jegunocës të ekspozohen në një ndotje të lartë kancerogjene, kështu që lejoni që fabrika e Jugohromit të punojë pa asnjë filtër dhe standard minimal ekologjik?

Ndryshe, Këshilli në të ardhmen siç pohojnë, do të funksionojë si Lëvizje e regjistruar me qëllim të rritjes së shkallës së efikasitetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button