ANALIZË: Monitorimi i mediave gjatë zgjedhjeve nuk do të sjell përmirësim në kualitetin e informimit

Procedura e komplikuar e monitorimit të mediave në Maqedoni gjatë periudhës parazgjedhore dhe zgjedhjeve nuk do të kontribuojë aspak në rritjen e lirisë së mediave, përkundrazi do të sigurojë që mediat të vazhdojnë të mbeten në gjendjen në të cilën janë, vlerësojnë ekspertët mediatik për Portalb dhe Nova Tv. Sipas tyre, pasi që përbërja e të tre institucioneve është e partizuar, rrjedhimisht edhe aktiviteti i tyre do të jetë i partizuar.

Teksti në gjuhën maqedonase është këtu.

Monitorimi do të realizohet nga zinxhiri i tre institucioneve të veçanta, ashtuqë: Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele ndjek punën e mediave dhe përpilon analizë të cilën ia dorëzon Trupit ad hoc. Trupi ad hoc pasi ta shohë analizën, i jep mendim Agjencisë. Agjencia në bazë të mendimit inicon procedurë në gjykatë dhe gjykata sjell vendimin për ta sanksionuar median që kryen kundërvajtje.

Janë partizuar institucionet për monitorim të mediave

“Trupi ad hok është në pozitë edhe më të palakmueshme edhe se Ombudsmani. Ai të paktën është në gjendje ta konstatojë gjendjen faktike, tjetër gjë është nëse institucionet tjera respektojnë urgjencat e tij. Ndërsa Komisioni ad hok do ketë vështirësi të merr vendime duke pasur parasysh politizimin dhe partizimin e tij.  Nëse anëtarët janë propozuar nga partitë politike, e pritshme është që ata gjatë miratimit të vendimeve nuk do të udhëhiqen nga parimet profesionale, por nga interesat e partive që i kanë nominuar”– u shpreh kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani, “Trupi është kryekëput i politizuar dhe jam plotësisht i bindur se vlerësimi i tyre për mënyrën e raportimit të mediave do të bëhet në bazë të kritereve politike dhe partiake, e jo në bazë të parimeve profesionale të gazetarisë. Me vetë faktin që anëtarët e Trupit janë propozuar nga partitë politike, kjo na bën të dyshojmë në kredibilitetin dhe profesionalizimin e tyre”.

Kryetari i Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë, Mirçe Adamçevski deklaroi se është kundër formimit të Trupit ad hoc, i cili sipas tij, vetëm që do t’i komplikojë gjërat pasi siç theksoi “kjo është punë politike dhe kur politikanët përzihen në varësinë e mediave punët përfundojnë keq” . Edhe sipas tij, fakti se anëtarët u propozuan nga partitë: LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI tregon se Trupi ad hoc veçmë është i politizuar. Për më tepër, pikërisht për shkak se nuk i pëlqente ndonjërës prej partive në fjalë anëtar nuk u zgjodh as Daut Dauti e as Sefer Tahiri.

Ditë më parë vetë Daut Dauti, sqaroi për Portalb arsyet pse u tërhoq nga gara për anëtarin e pestë, “Kam dhënë dorëheqje nga kandidatura për anëtarin e pestë të Komisionit ad – hok, për shkak që të mos jem pengesë e procesit politik. Meqë në opinionin publik, debati mori kahje tjetër dhe u devalvua procesi, unë mendoj se nuk duhet të bëhem peng i procesit politik. Ka defekt në mënyrën e zgjedhjes së kandidatit të pestë. Defekti qëndron aty se katër anëtarët që janë propozuar nga partitë duan të zgjedhin një kandidat i cili sipas tyre, nuk duhet të jetë partiak dhe profesionist. Kriteret janë në rregull, por nuk mund të bëjnë zgjedhje legjitime ata të cilët kanë legjitimim partiak. Kjo mënyrë, është fajtor kryesor për gjendjen aktuale për zgjedhjen e anëtarit të pestë”.

Dyshohet në kohabitacionin e institucioneve

 “Nuk kam kurrëfarë pritjesh pozitive, pres komplikime shtesë  të procesit të monitorimit dhe rregullimit të mediave”– u shpreh kryetarja e Sindikatës së gazetarëve Tamara Çaushidis, Përbërja e Agjencisë është e partizuar, kurse përbërja e Trupit ad hoc është poashtu i partizuar, por si rezultat i bisedimeve politike. Sa këto dy trupa do të kohabitojnë, unë në të vërtetë nuk mund të parashikoj, por nuk kam optimizëm se kjo do të rezultojë me diçka të mirë”.

Në pyetjen se sa mund të jetë produktiv bashkëpunimi midis Trupit ad hoc dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, derisa përbërja e kësaj të fundit nuk ka ndryshuar Naser Selmani tha: “Ju po e prekni thelbin e problemit. Agjencia e mediave nuk do të mund të jetë e pavarur dhe profesionale pa mos departizuar dhe depolitizuar Këshillin e Agjencisë së Mediave. Derisa shumica e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë janë njerëz të lidhur me partitë në pushtet, rregullatori i mediave do jetë dorë e zgjatur e pushtetit. Misioni i tyre nuk do të jetë të mbrojë dhe avancojë lirinë e mediave, por të jetë pjesë e sistemit të kontrollit të mediave të vendosur nga qeveria.”

Ndryshe, angazhimi në Komisionin ad hoc anëtarëve  u kompenzohet me pagë prej 80 000 denarësh, pagë kjo e cila është afër 7,5 paga minimale, respektivisht 3,5 paga mesatare në vend.

Janë lënë zbrazëtira juridike që të mos ndryshojë asgjë

Sipas procedurës së përshkruar më lartë, gjykata duhet të sjell vendim gjyqësor për sanksionimin e mediave që bëjnë kundërvajtje. Megjithatë nuk është përcaktuar ndonjë afat kohor brenda të cilit duhet të sillet vendimi. Kjo zbrazëtirë juridike, sipas ekspertëve është lënë me qëllim që të mund të zvarriten procedurat ndaj mediave të caktuara e të mos merret asnjë vendim.

“Kjo ekzistonte edhe më parë. Aq sa e dij, Agjencia kishte disa procedura nga zgjedhjet e vitit 2014, të cilat akoma nuk janë azhuruar në Gjykatë. Ashtuqë siç shihet as qëllimi, as ambicjet e as pritjet nuk janë që vërtetë të ndryshojë diçka.”-tha Tamara Çaushidis, “Pikërisht edhe kjo zbrazëtirë juridike është lënë për këtë arsye: që asgjë të mos ndryshojë”.

“Tashmë ka disa procedura në gjykatë, gjykatat i zvarrisin punët sepse edhe ato janë partiakisht të orientuara. Ju e shihni se si zvarriten punët tjera në shoqëri që janë shumë më të rëndësishme, si psh në Gjykatën Kushtetuese, në Prokurorinë Speciale”-tha Adamçevski, “Edhe nëse Agjencia fillon procedurë në gjykatë, gjykata do të thotë ‘Prit ky është i yni, ky nuk është i yni. Nëse nuk është i yni do ta dënojmë, nëse është i yni do ta mbajmë anash”.

“Dua të ju përkujtoj se kur partitë arritën marrëveshje për mediat, ne vlerësuam se kjo marrëveshje është farsë politike, e cila nuk do të prodhojë kurrëfarë efektesh pozitive në punën e mediave. Me këtë marrëveshje partitë deshën të mashtrojnë opinionin se kinse po bëhen reforma në media. Ideja e tyre është të hiqen sikur bëjnë diçka, ndërsa në fakt në teren të mos ndryshohet asgjë.”-deklaroi Selmani, “Qasja është krejtësisht e gabuar. Opozita maqedone nuk merret me burimet e krizës në media, por kërkon të sanojë pasojat që kanë bërë që media të jetë e kontrolluar dhe joprofesionale. Unë dyshoj se partitë maqedone kanë konsenzus për të penguar çdo përpjekje për reforma serioze dhe të qëndrushme në media, të cilat realisht do të çlironin mediat nga kontrolli politik. Këtu nuk flitet për lirinë e medave, këtu flitet për ruajtjen e një sistemi politik, i cili është i manipuluar nga establishmenti i bashkësisë më të madhe etnike, i cili nuk ndërtohet mbi vlerat demorkatike të Kushtetutës, por mbi parimin e abuzimit me institucionet, diskriminimin, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ky sistem amneston keqpërdorimin e pushtetit për qëllime korruptive dhe të diskriminimit partiak dhe etnik.”

Procesi i monitorimit nuk do të sjellë kurrëfarë rezultatesh

Ekspertët u përgjigjën edhe në pyetjen se kush do të ishte fajtor në rast se deri në zgjedhje nuk do të sillet asnjë vendim gjyqësor, ndërsa do të identifikohen kundërvajtje e mbase edhe do të fillojnë procedura gjyqësore.

Sipas Çaushidis , sistemi është fajtor ashtuqë secili institucion duhet ta kryejë detyrën e vetë.

Edhe sipas Adamçevskit fajtor janë të gjitha institucionet kompetente, pasi kryerja e punëve nuk duhet të varet nga vullneti politik i partive politike sepse siç theksoi “Nuk janë ata gjykata partiake, secili duhet ta kryejë punën!”

Sipas Selmanit, faji do jetë jetim pasi siç sqaroi “Ky është qëllimi i vërtet i partive maqedone. Zgjidhja është bërë për të mos funksionuar. Partitë fajin do ia hedhin Komisionit ad hok, Komisioni Agencisë së Mediave, Agjencia gjykatave, ndërsa gjykatat ligjvënësit, i cili nuk ka definuar qartë afatet kohore të procedurës. Këtu shihet qartë tendenca e partive maqedone për të shmangur reforma serioze në media. Kjo ishte arsyeja kryesore pse refuzuam të marrim  pjesë në formimin e Komisionit ad hok, sepse ishim të bindur se ideja e partive nuk ishte të bëhen reforma, por të na përfshijnë në një proces të diskutueshëm, i cili nuk do të sjellë kurrëfarë rezultatesh”.

Kjo storje është realizuar me anë të bashkëpunimit ndërmjet NOVA TV dhe Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button