Popovski: Votoni për personalitet e jo për parti

Kandidati për president i GROM-it Zoran Popovski dje në miting në komunën e Kisella Vodës u bëri thirrje qytetarëve lirshëm dhe pa frikë ta bëjnë zgjedhjen e tyre dhe të votojnë për personalitet e jo për parti.

“Nuk do të nënshkruaj ligje të cilat nuk do të jenë në interes të qytetarëve. Do ta përmirësoj standardin e ushtarëve dhe do të mundohem të gjitha çështjet kyçe për shtetin të zgjidhen në tryezë të hapur mes të gjithë oponentëve politikë”, porositi Popovski.
Ai potencoi se dëshiron të hapë mënyrë të re të komunikimit me vendet fqinje dhe të fillojë t’i mbyll çështjet e hapura të cilat me vite na ngarkojnë dhe nuk na lejojnë të shkojmë përpara.

“Unë jam mbrojtës i komunikimit civil në kulturë, në sport, në art, arsim, dhe shëndetësi. Në mënyrë të tillë çështja e emrit, çështja e kishës dhe çështja e gjuhës do të bëhen aq absurde që nuk do të kujtohemi më për to”, thotë Popovski.

Përkrahje për Popovskin kërkoi edhe lideri i GROM-it, Stevço Jakimovski.

Ai u bëri thirrje kandidatëve presidencialë për debat televiziv, sepse sipas tij, vetëm në atë mënyrë do të munden të përballen argumentet, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi vetë të vendosin se çfarë presidenti u nevojitet. 

Lajme të ngjashme

Back to top button