fbpx

S’kemi kocka te pertypim kockat nacionaliste

Nacionalizmi është për agresorin dhe atdhedashuria për viktimën. Në sytë e mi shqiptarët kanë luajtur me ose pa dashje rolin e viktimës. Jemi pushtuar me dhjetëra herë dhe asnjëherë nuk kemi mësuar prej pushtimeve për t’u organizuar si popull dhe për të mbrojtur vendin tonë nga pushtuesi i ardhshëm. Gabimi, që ne bëjmë për mendimin tim, është ky: Nuk arrijmë të vendosim një vijë ndarëse midis atdhedashurisë dhe nacionalizmit, ngatërrojmë kohëlindjet e tyre. Normalisht lind atdhedashuria përpara dhe më vonë nacionalizmi. Nacionalizmi është një dashuri e tepruar ndaj vendit tënd,që ndonjëherë përforcohet në mënyrë të pavetëdijshme. Një rast të tillë e ndeshim edhe tek Bismarku. Pa dashje ai krijoi një Gjermani aq të fuqishme, saqë, e cila më vonë për pak sa nuk e pushtoi të tërë botën.

Në rastin e shqiptarëve, ne e anashkalojmë atdhedashurinë dhe merremi me një nacionalizëm, në sytë e mi sa qesharakë aq edhe tragjikë, sepse është njëlloj sikur të krenohesh e të tallesh me stuhitë, ndërkohë që ti jeton në një shtëpi prej kartoni. Poetët duhet t’i këndojnë atdhedashurisë dhe politikanët duhen me po aq pasion dhe përkushtim të ndërtojnë shtet. Kënga e poetëve duhet të jetë pak a shumë në baraspeshë me përkushtimin dhe ndihmesën e udhëheqësve për të bërë shtet të drejtë ligjor, përndryshe lind një problem mjaft shqetësues. Nëse poeti këndon dhjetë herë më shumë sesa udhëheqësi lind një nacionalizëm i rrezikshëm.

Pasojat janë këto:Populli i dëshpëruar nga udhëheqësit, anashkalon fazën e dashurisë ndaj atdheut e vetvetes dhe hidhet në kundërsulm,krejtësisht i papërgatitur ose pa mjete për të luftuar ose të paktën për të mbrojtur vetveten. Ndërsa kur fillon me dashurinë ndaj atdheut, populli ndërton të paktën një bazë të shëndoshë,si:shtet të fuqishëm,ushtri, këndvështrim për të ardhmen. Në rastin tonë, ne nuk kemi arritur ta duam atdheun ashtu siç duhet. Poetët e Rilindjes, nga njëra anë, e bënë mirë që i kënduan vendit, por nga ana tjetër zgjuan një nacionalizëm të rrezikshëm, i cili u shndërrua lehtë në një dramë kombëtare, sepse udhëheqësit ecën në një kurs krejt të ndryshëm, në atë të rrënimit të shtetit. Shpallja e Pavarësisë u bë në kushte shumë të rrezikshme. Ngjau më shumë si një aventurë e rrezikshme dhe jo si përfundim i një lufte të mirëorganizuar. Enver Hoxha abuzoi rëndë me atdhedashurinë dhe ëndrrat e rilindësve tanë, sepse në pamje të jashtme ai i ngriti në ajër këngët e tyre, por, nga ana tjetër, ai helmoi pemën dhe zogjtë shqiptarë.

Edhe sot e kësaj dite, edhe pse jemi komb mijëravjeçar, ne nuk kemi mësuar ta duam atdheun fillimisht, por merremi me nacionalizmin duke ëndërruar Shqipërinë Etnike, pjesa më e madhe e të cilës ndodhet në duart e fqinjëve. Ndoshta tingëllon cinike, por që të ripushtosh trojet e humbura duhet nacionalizëm, pra të sillesh si pushtues dhe si i tillë mund të sillesh kur ke baza të forta. Prandaj, kam kohë që jam kundër bashkimit të Shqipërisë Etnike, pasi duhet fillimisht të mësohemi të krijojmë një harmoni të brendshme kombëtare. Është njëlloj sikur një pronar i një dyqani të vogël, i cili edhe pse nuk ka dijeni se si drejtohet një dyqan,ëndërron ta zgjerojë atë duke e bashkuar me dyqanin e vëllait përbri. Dhe e keqja zmadhohet, kur edhe vëllai i tij është, gjithashtu, një tregtar fodull, që nuk e ka njohuri nga biznesi e,megjithatë, sillet si tregtar i suksesshëm. Shkrirja e të dy dyqaneve në një të vetëm zmadhon katastrofën, sepse që të dy vëllezërit janë kryeneçë, fodullë dhe pa përvojën tregtare.

Falimentimi i tyre do të ndodhë më shpejt sesa kur dyqanet ishin të ndarë. Po kështu edhe dy shtetet tona: udhëheqësit tanë nuk kanë as përvojë dhe as dëshirë të bëjnë një hap mbrapa për të gjetur një rrugë të mesme për të udhëhequr. Shumë shkrimtarë, ndër të tjerët edhe Kadareja, merren me lavdinë e shpatës së Skënderbeut.Si rrjedhim, kjo ka ndihmuar dhe po ndihmon në lindjen e një nacionalizmi mesjetar ose komunist, ndërkohë që udhëheqësit kanë bërë shumë pak për të ndërtuar një shtet të shëndoshë. Dhe këtë Kadareja dhe shumë shkrimtarë të tjerë edhe pse e dinë mirë, mbyllin sytë dhe korrin lavdi boshe me Skënderbeun.

Jetojmë në shekullin e njëzetenjë dhe është anakronike të huazosh nacionalizmin mesjetar. Pjesa më e madhe e intelektualëve janë marrosur mbas Skënderbeut, ndërkohë që fqinjët tanë ballkanas zgërdhihen me ne, sepse i njohin shumë mirë aftësitë tona ekonomike dhe ushtarake. Intelektualët mendojnë se Evropa do të na shpërblejë meqë Skënderbeu në kohën e tij zmbrapsi otomanët. Në sytë e mi kështu spekulohet me urrejtjen islamike. Ata gabojnë,pasi anëtarësimi i Shqipërisë në Evropë nuk ka as natyrë ushtarake, as historike, por është test demokratik, i bazuar në mirëqenien ekonomike dhe në të drejtat njerëzore. Tek e fundit Evropa të thotë: “Kur ditët kaq mirë të zmbrapsnit otomanët, pse nuk e reflektoni këtë edhe tani, aq më shumë që jeni shtet i pavarur, dhe të zmbrapsni korrupsionin dhe mosmarrëveshjet e brendshme të tejskajshme?” Kohët e fundit vë re të rrëshqasim në një nacionalizëm primitiv. Nga njëra anë, shoh emigrantë të valëvisin flamurin në ajër. E di sa e vështirë është të ngresh flamurin në ajër? Nuk kemi të bëjmë me një copë bezeje 200gramëdhe as me një stampë. Të ngresh flamurin është njëlloj sikur të ngresh shtëpinë tënde në ajër. Dhe kur shtëpia ose shteti ngjan me një gërmadhë, ç’kuptim ka të pasqyrosh krenari për flamurin?

Nga ana tjetër, intelektualët përpiqen të ngushëllojnë izolimin ose injorimin e këndvështrimit të tyre për të ardhmen e Shqipërisë duke pirë ujë në pusin e Skënderbeut. I bëj thirrje intelektualëve shqiptarë t’i përqendrojnë të gjitha forcat e tyre shpirtërore dhe edukative për mbarëvajtjen e ndërtimit të shtetit dhe për emancipimin e qytetarëve. Nacionalizmi është kockë që viktimat nuk e përtypin dot. Ne nuk kemi dhëmbë për nacionalizëm, sepse ai lind mbasi je ngopur me dashurinë për atdheun. Një arsye tjetër për të mos u marrë me nacionalizëm është Gadishulli Ballkanik, i njohur si varrezë e rrezikshme nacionaliste si dhe fakti që, ne jemi një ndër vendet më të vegjël dhe më të paorganizuar në Ballkan. Uroj që intelektualët dhe udhëheqësit shqiptarë ta kuptojnë këtë, përndryshe ata me ose pa dashje do ta dërgojnë popullin shqiptar për të satën herë si cjapi te kasapi. Kjo do të kishte ndodhur përsëri (për të satën herë) nëse NATO nuk do ta kishte çliruar Kosovën. Në mbyllje Skënderbeu nuk arriti ta bashkojë të tërë Shqipërinë që të luftojë e gjitha kundër osmanëve. Fitoret e tij janë fitore provinciale dhe ky provincialitet po na ndjek si hije e keqe nga mbrapa. Na duhet një Skënderbe bashkëkohës, i cili do të bëjë atë që s’e bëri dot Skënderbeu i parë: Të bashkojë të gjithë shqiptarët kundër të keqes shqiptare dhe këta të fundit të ndërtojnë një shtet të drejtë dhe të fortë, që do t’i përkrahë financiarisht shtresat e ulëta dhe në raste luftërash të zotërojnë një bazë luftarake të fuqishme, e cila do të vihet me mish e shpirt dhe do të jetë në gjendje t’i mbrojë të gjithë shqiptarët, kudo qofshin ata.

Rezart Palluqi Holande,

Lajme të ngjashme

Back to top button