Në vend të lajmit, koment fund e krye

[Recension: “Ju nga BDI-ja që e kritikoni Muhamed Zekirin a mos rastësisht jeni në koalicion me Shaban Polluzhen?!”]

 Nuk janë të pakta rastet kur në lajmet e portaleve të Maqedonisë mund të vërehen doza të caktuara komentimi. Ato ndërfuten, kamuflohen brenda lajmit, pa sqaruar fare se bëhet fjalë për koment brenda një përmbajtjeje informative. Por, ka rasta edhe kur mund të huqet i gjithë lajmi dhe të shndërrohet në koment.

[Recension: “Ju nga BDI-ja që e kritikoni Muhamed Zekirin a mos rastësisht jeni në koalicion me Shaban Polluzhen?!”]Linku për te artikulli origjinal: Ju nga BDI-ja që e kritikoni Muhamed Zekirin a mos rastësisht jeni në koalicion me Shaban Polluzhen?!

Data dhe koha e publikimit: 02.09.2016

Data e recensionit: 04.09.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Të thuhet se ka shumë komente brenda këtij lajmi, nuk është vlerësimi më real që mund të jepet për të. Në fakt, i tërë lajmi është një koment. Është një masë e madhe komentimi, e përmbledhur në disa rreshta. Gjithçka do të ishte në rregull nëse ky tekst do të ndodhej në rubrikën e komenteve apo opinioneve. Madje, ndoshta as që do të na binte në sy si i tillë. Kjo është mbase arsyeja kryesore që redaksitë shpesh zgjedhin të shkruajnë komente në rubrikën e lajmeve.

Gjatë përvojave të mëhershme dhe gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë që kemi pasur me persona të punësuar në këto redaksi, pranojnë se janë shumë të vetëdijshëm për “lojën” e manipulimit me rubrikat. Arsyeja, sipas tyre, është se komentet kanë numër shumë më të vogël klikimesh se sa lajmet. Si rrjedhojë e kësaj ata vendosin që qëndrimet personale që kanë pronarët apo drejtuesit e këtyre portaleve, t’i inkuadrojnë në lajme. Kësisoj është ndikimi më i madh tek lexuesit, thonë ata.

Kemi pyetur edhe disa kolegë se a kanë reaguar në raste të tilla dhe a ua kanë bërë me dije shefave të tyre se kjo është një shkelje etike. Po, thonë, por shtojnë se eprorët as që duan të dinë për këto shkelje dhe se i detyrojnë me zor që të kryejnë një veprim të tillë. Ndërsa, sa i përket denoncimit të këtyre rasteve nga ana e gazetarëve, ata thonë se kjo pastaj mund të ketë çmimin e vet, që do të thotë largim nga puna apo edhe kërcënime të natyrave të ndryshme.

Pyetja tjetër që lind më pas dhe për të cilën ende nuk ka një përgjigje, është se përse vallë portalet informative shndërrohen në marioneta të partive politike. Është në pyetje paraja, bindjet e forta politike, urrejtja ndaj ndonjë subjekti tjetër dhe dëshira për t’u revanshuar, kapriçot personale që kanë palët në mes vete, apo ndonjë arsye tjetër?! Cila do qoftë nga këto, apo edhe sikur të jenë të gjitha së bashku, nuk justifikojnë marrjen e një vendimi të tillë, sepse kjo konsiderohet shkelje në dy rrafshe të rëndësishme. Së pari, është shkelje ndaj misionit publik që ka një medium dhe shkelja e besimit që ka publiku ndaj një mediumi dhe, së dyti, shkelje e rregullave profesionale, në të cilat thirret gazetaria. Këtë mund ta gjeni në çdo kod etik të botës.

Kodi etik i gazetarëve thotë:

“Gazetarët kanë të drejtë për të pasur mendimin, qëndrimin dhe vlerësimin e tyre, por nuk guxojnë që mendimet e tyre t’i kamuflojnë sikur të jenë fakte”;

si dhe:

“Duhet të jenë qartë të ndara, cilët janë faktet dhe cilat informacionet, dhe cilat janë komente, hipotezat ose qëndrimet e autorit për të shmangur dezinformimin dhe manipulimin me publikun.”

Konkretisht, teksti në linkun më lart shfaq averzion ndaj militantëve të BDI-së të cilët paskan reaguar ndaj vendimit të gazetarit Muhamed Zekiri për inkuadrimin e tij në LSDM. Gjithashtu, sulmohet BDI-ja, e cila qëndron në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe, në fund, renditen disa momente, me të cilat vjen në shprehje dëshira për t’ua bërë me dije partive shqiptare se janë të dështuara në punën e tyre. E gjithë kjo do të ishte krejtësisht në rregull, nëse do të botohej në formën e një komenti të bazuar në më shumë lajme, e jo si më shumë komente në formën e një lajmi.

 


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button