BFI ia uron fitoren Erdoganit

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi i dërgoi telegram kryeministrit turk Rexhep Taip Erdoganit, duke i uruar kështu fitoren në zgjedhjet lokale turke.

“Fitorja e madhe e AK Partisë, lider i secilës jeni Ju, në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 30 mars 2014, neve, myslimanëve të Maqedonisë, na ka gëzuar shumë. Mendojmë se fitorja e arritur, pas një fushate parazgjedhore të vështirë dhe të ashpër, nuk është fitore vetëm për vëllezërit tanë në Turqi, por njëkohësisht, kjo është fitore edhe për myslimanët e Maqedonisë, të rajonit ballkanik dhe të botës në përgjithësi. Menjëherë pas njoftimit për triumfin tuaj dhe para se t`i drejtoheni simpatizuesve nga “ballkoni”, Ju gjetët kohë që në mënyrë të drejtpërdrejtë, t`u drejtoheni të pranishmëve në mitingun qendror që u organizua në Shkup, me rastin e fitores së AK Partisë, për ta ndarë gëzimin Tuaj me ne, gjë e cila është fakt i pamohueshëm se sa rëndësi dhe respekt keni ndaj nesh. Me këtë rast, me dëshirën më të sinqertë, në emrin tim personal si dhe në emër të popullatës muslimane të Maqedonisë ua uroj këtë fitore me dëshirë që ky sukses të jetë i përhershëm”, thuhet në letrën dërguar kryeministrit turk.

Në urimin e dërguar nga BFI thuhet se Erdogani konsiderohet si lider të vetëm të myslimanëve.

“Konsideroj se Ju jeni lider i vetëm i myslimanëve, i cili i mbroni myslimanët dhe haptazi u kundërvihet mekanizmave të cilët, myslimanëve në botë u bëjnë dëme në nivel global. Ne jemi dëshmitarë se Ju me bashkëpunëtorët Tuaj, në çdo moment keni qenë me ne duke na përkrahur kundër veprimeve qëllimkëqija. Jam i vetëdijshëm se kjo lidhje shpirtërore në mes nesh buron nga besimi ynë i përbashkët në Allahun xh.sh. dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s. Për ne është nder, që në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Kërçovë, Dibër, Strugë, Ohër, Resen, Manastir, Veles, Shtip dhe vendbanime tjera, në territorin e Maqedonisë të lutemi për sukseset Tuaja. Përfaqësuesit e Bashkësisë Fetare Islame dhe myslimanët e Maqedonisë, në krye me mua, gjithmonë me lutje do të jemi me Ju në sukseset e mëtutjeshme. Për këtë arsye, besojmë se nuk është e rastit afërsia dhe interesi i treguar i Juaj, për ta ndihmuar Maqedoninë.
Dëshiroj që Allahu xh.sh. Juve, neve dhe gjithë myslimanët, t`na mbrojë prej çdo sherri dhe fitneje”, thuhet në urimin e BFI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button