Foli ArifHikmeti: Shqiptarët e Iliridës mburren me mua

Është padyshim emri më i përfolur kohëve të fundit. Bëhet fjalë për artistin e njohur Xhevdet Jasharin apo Arifhikmetin siç po e quajnë tani. Ndonëse tashmë ai është bërë pjesë e pandashme e jona përmes serialit ‘O sa mirë’ në një intervistë për gazetën Tribuna ka shpalosur shumëçka rreth angazhimeve profesionale dhe jetës private.

Është kënaqësi kur publiku pëlqen punën tënde, ka thënë në fillim të bisedës, njëri ndër emrat më të dashur për momentin në botën e aktrimit. Është ky Xhevdet Jashari apo Arifhikmeti i seriali ‘O sa mirë’, i cili në një bisedë për gazetën Tribuna me shumë çiltërsi ka rrëfyer shumëçka për veten e tij jashtë dhe brenda profesionit…

Tribuna: Xhevdet, na tregoni fillimisht si po ndiheni me gjithë këtë famë që e keni?
Jashari: Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur e ushtron profesionin tënd. E sidomos kur të jepet mundësia të tregosh profesionalizmin tënd dhe këtë publiku e pëlqen.

Tribuna: Shprehjet tuaja kanë filluar të përdoren edhe nga të rinjtë në Kosovë. Çfarë mendon se ju bën juve më të veçantë në këtë serial?
Jashari: O sa mirë (më vjen)! Mendoj se loja e sinqertë e imja për këtë personazh.

Tribuna: Si e kanë pritur tetovarët rolin tuaj?
Jashari: Mendoj se pyetja duhet të jetë pak më e gjerë. Shqiptaret e Iliridës me aq sa kam dituri unë dhe e përjetoj për momentin ata mburren me mua.

Tribuna: Me cilin prej kolegëve në serialin ‘O sa mirë’ jeni më i afërt?
Jashari: Luranin (profesorin e historisë) e kam shok dhe mik shumë më herët, por edhe me të tjerët të gjithë pa dallim jam shumë i afërt. Sinqerisht ju them tre ditë pauze që i kemi në javë, më merr malli shumë për ta. Vërtet jemi ekip i mrekullueshëm. Jetoni (drenicaku) do thoshte HATASHËM dhe aktorë që nuk i ka askush.

Tribuna: Sa i përkëdhelur ndiheni me nofkën ‘Arushi’?
Jashari: “Arushi” (qeshet), Arifhikmeti ndjehet shumë mirë.

Tribuna: Ju keni luajtur edhe role tjera. Cili është roli në të cilin ju jeni ndjerë më së miri?
Jashari: Nuk mund ta veçojë asnjërin sinqerisht, sepse vërtet secilit personazh i përkushtohem maksimalisht.

Tribuna: Cilat janë synimet tuaja në karrierë?
Jashari: Të bëhem aktor për të cilin do të mburren fëmijët e mi, familja ime dhe mbarë kombi im.

Tribuna: Përveç aktrimit a merreni edhe me ndonjë gjë tjetër?
Jashari: jo me asgjë hiç.

Tribuna: E dini që bashkë me famën vijnë edhe kërkesa tjera e njerëzit interesohen për çdo imtësi rreth jetës suaj. Më tregoni a jeni i dashuruar?
Jashari: Jam i dashuruar te Bojkeni dhe Gresa.

Tribuna: A anoni më shumë kah modernia apo tradicionalja ?
Jashari: Do të thosha më shumë kah modernja.

Tribuna: Cila është gjëja më e rëndësishme për ju në jetë?
Jashari: Besimi në Zot.

Tribuna: Ku e shihni veten pas pesë vjetësh?
Jashari: Nëse jam gjallë do doja ta shihja veten në një shqiptari të bashkuar, me ekonomi të fortë, me gjyqësi perfekte… E kur t’i arrijmë këto, pastaj është gjithçka më e lehtë.

Tribuna: Dhe në fund do të doja një këshill nga ju për të gjithë të rinjtë që duan të bëhen aktor e juve ju kanë model. Çfarë duhet të bëjnë ata dhe çka është e rëndësishme për të qenë një aktor i mirë?
Jashari: Unë gjatë studimeve përveç që kam punuar pa ndalur në akademi, i kam ndjek të gjitha shfaqjet që janë shfaqë. I kam ndjekur të gjitha shfaqjet e festivaleve. Në shumicën e këtyre shfaqjeve kam marrë pjesë edhe në provat e tyre. Me një fjalë i jam përkushtuar kësaj pune pa asnjë rezervë. Pastaj kur jam fut në teatër vërejta se gjëja më e shëmtuar është pa përgjegjësia dhe mungesa në prova. Vërtetë asnjëherë nuk jam vonuar, përkundrazi në prova kam shkuar me dashurinë më të madhe./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button