Halimi: Qytetarët vetë të vendosin nëse do të votojnë dhe për kë të votojnë

Kandidati për president i Maqedonisë i radhëve të PDSH-së, Iljaz Halimi sot realizoi takime me banorët e më shumë vendbanimeve nga disa komuna në Tetovë. Pas takimit me banorët e fshatit Shemshovë, komuna e Jegunovcit ai tha se gjatë disa ditëve të kaluara të fushatës është takuar me më shumë mijëra qytetarë me të cilët ka biseduar rreth problemeve me të cilat takohen.

“Qytetarët edhe shqiptarë edhe maqedonas edhe romë, turq dhe të gjithë të tjerët ankohen se kanë probleme me rrugët, kushtet e këqija në shkolla, asistencën sociale, një pjesë e madhe prej tyre janë të papunësuar. Unë ju thash se ingerencat e presidentit nuk janë të tilla të cilat mund të sigurojnë drejtpërdrejt mjete që të përmirësohen kushtet, por nëse zgjidhem në funksionin presidencial do të angazhohem për sistemim të barabartë të mjeteve të buxhetit për të gjitha rajonet në Maqedoni që sa më shumë qytetarë të kenë dobi nga këto mjete. Gjithashtu do t’i shfrytëzoj mundësitë për takime dhe kontakte me investitorë të huaj të investojnë në Maqedoni të përmirësohet gjendja me punësime”, tha Halimi.

Ai shprehu kënaqësi nga rrjedha e deritanishme e fushatës dhe mbështetjen e marrë të qytetarëve. Halimi pret qytetarët të mos e pranojnë thirrjen për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale nga BDI-ja rivale, pasi që sipas tij vetë duhet të vendosin se për kë të votojnë, ndërsa për këtë bojkotim janë kundër edhe faktori ndërkombëtar.

“Kam mbështetje të madhe edhe pse një parti politike doli me qëndrimin për t’u bojkotuar zgjedhjet presidenciale. Nuk besoj se qytetarët në këtë kohë, në vitin 2014 do të shkojnë sipas direktivave të dikujt që ka politika matematikore që do t’u thotë rrini në shtëpi dhe mos dilni në ditën e zgjedhjeve. Qytetarët mendojnë me kokën e tyre dhe jo gjithmonë i respektojnë urdhrat e këtilla të cilat janë në kundërshtim me proceset demokratike dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve që dëshirojnë këtë vullnet ta shprehin përmes votimit. Ajo që është e rëndësishme është që bojkotimi është kundër bashkësisë ndërkombëtare.
 
Dëgjojmë nga përfaqësuesit e BE-së, Këshillit të Evropës, OSBE-së se nuk e mbështesin bojkotimin se kjo gjë është në dëm të demokracisë dhe se nuk duhet të frikësohen qytetarët se do t’i humbasin vendet e punës ose t’i blejnë votat pasi që kjo do të ndikojë në suksesin e mbarë procesit”, tha Halimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button