PËRGJEGJËSIA

Nuk e di si do të kishte kaluar një kërkesë për institucionalizimin e një festivali të trashëgimisë kulturore shqiptare në Ministrinë e Maqedonisë, nuk e di a do të kishte mundur të ndodhë çudia që të restaurohej Shtëpia e Halim be Derallës në Tetovë, apo ndonjë shtëpi tjetër (që do të dëshmonin vlerat e trashëgimisë sonë), nuk e di a do të ishte lejuar ndonjë projekt për kërkimin e ujësjellësve romakë apo të ndonjë vendbanimi ilir…

Ma thotë mendja se do të kishte qenë vështirë, madje as që do ta kish pranuar dikush nga kompetentët propozuesin e këtyre ideve ta dëgjojë, së paku ta dëgjojë. Ndoshta edhe do ta kishte pranuar ndonjë nëpunës i asaj ministrie, por gati se nuk më mbushet mendja se vështirë që do të kishte pasur ndonjë rezultat konkret, sepse takimet e tilla zakonisht bëhen sa për sy e faqe. Besoj se përgjigja e nëpunësit do të kishte qenë vetëm një buzëqeshje në të cilën lexohet mospërfillja e injorimi i plotë.

Hë, po, për vendbanimet ilire, ndoshta do të ishin ndarë para për realizimin e projektit, por ai projekt do të përfundonte si zbulim që do ta mbante vulën e trashëgimisë maqedonase, pasi “shkencëtarët” politikë tashmë “kanë vërtetuar” se fiset ilire në fakt janë paraardhësit e maqedonasve të sotëm. Kështu, edhe këtu ne do të mbetemi duarthatë. Pa kurrfarë përmendoreje nëpër komunat me shumicë shqiptare, pa pranim zyrtar se jemi popull i kulturuar i cili e ka historinë e vet dhe do të mbetemi vetëm një popull, i cili do të fajësohet pse nuk u përshtatet rrethanave që na i diktojnë jeta dhe Korniza e famshme, ku ne nuk kemi emër fare dhe veçmas do të mbetemi ashtu si na trajton de fakto politika e shtetit, e cila na trajton kështu si na trajton: vetëm si myslimanë ose si mbeturina të perandorisë otomane. Pa kulturë. Pa trashëgimi.

Një popull “i zbritur nga mali”. Pra na trajton krejtësisht ndryshe nga rezultatet e studiuesve të mëdhenj si Gottfried Wilhelm Leibnitz, Johan Gotfrid Fon Herder, Johan Erih Tunman, Johan Christoph Adelung, Christian Gottlieb von Arndt, J. A. G. Schmidt, Johann Severin Vater, Karl August, Anton Alfons, Joseph Ritter von Xylande, Johann Georg von Hahn, Jakob Filip Falmerajer, Franc Boppi, Gustav Majeri, Norbert Jokli, Maksimilian Lamberci, Paul Kreçmeri, Hansjorg Frommeri, Peter Robert Franke, Herman M. Olberg, Wilfred Fiedler, Oda Buchholz, Norbert Boretzky, natyrisht edhe emrat e mëdhenj të albanologjisë shqiptare si Eqrem Çabej, Idriz Ajeti e të tjerë e shkencëtarë  të huaj, të cilët kurrë nuk e kanë lidhur maqedonishten me lashtësinë, kurse shqipen – po!

Mirëpo fjala e këtyre autoriteteve të shkencës që shtrihet në disa shekuj nuk mjafton që Ministria (e cila duhet t’i mbrojë edhe interesat tona kulturore, e cila duhet t’i mbrojë vlerat e trashëgimisë sonë), të marrë iniciativë për mbrojtjen e vlerave tona. Nuk e besoj se ndonjë ministri mund ta lëshojë zemrën që të subvencionojë ndonjë projekt me peshë për kulturën tonë. Por këtu nuk përfundon tregimi i pikëllueshëm për mbrojtjen e vlerave kulturore të trashëgimisë sonë. Përfaqësuesit shqiptarë në pushtet asnjëherë nga përfundimi i Luftës së dytë botërore e këndej nuk kanë ngritur ndonjë iniciativë për realizimin e një projekti të tillë deri në pavarësimin e Maqedonisë. Më e keqja është se as pas pavarësimit të Maqedonisë, kur fjala ka mundur të thuhet pa pasoja, askush nuk ka kërkuar institucionalisht të mbrohen shtëpitë karakteristike, urat, objektet e kultit, të bëhen gërmime arkeologjike me rëndësi për të kaluarën shqiptare.

Kam përshtypje se edhe po të bisedohet me përfaqësuesit e partive tona, këtë çështje nuk do ta marrin si çështje me peshë. Këtë e dëshmon qëndrimi zyrtar i pushtetarëve tonë ndaj shoqatës së shkrimtarëve, e cila nuk funksionon si shoqata e shkrimtarëve maqedonas që është në kujdesin e plotë të Ministrisë së kulturës, e ku punohet sipas ligjit dhe rregullave që i kërkon demokracia. Ngjashëm është puna edhe me disa shoqata të tjera të cilat janë themeluar për të mbrojtur interesat e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, por si janë formuar kanë mbetur e vendnumërojnë, ose më shkurt kanë mbetur si uji amull.

Nuk është e qartë se a janë të informuar pushtetarët tonë dhe të gjithë ata që vegjetojnë nëpër shoqata të ndryshme, po edhe nëpër institucionet arsimore se si shpenzohen paratë e buxhetit të caktuara për kulturë. A e dinë si punon Komisioni për botimin e librave, a i dinë projektet përmes të cilave edhe gjuha shqipe do të ballafaqohej me vepra të mëdha letrare, filozofike dhe të fushës së sociologjisë, psikologjisë e fushave të tjera. Ma thotë mendja se pushtetarët tonë derdhën mund që ta bëjnë të mbetet i heshtur Instituti për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve sepse me siguri nuk e dinë rëndësinë e projekteve të parapara për t’u realizuar për pesë vjetët që ikën.

Po ta dinë e nuk e thonë asnjë fjalë bëjnë mëkat të madh, po mos ta dinë atëherë mëkati u shkon udhëheqjeve të partive se këto kompetenca ua lënë në dorë njerëzve jokompetentë ose mediokërve. Qoftë ashtu e qoftë kështu përgjegjësia e pushtetarëve është e madhe. Po aq e madhe është edhe e intelektualëve të cilët e shohin se çfarë ndodh e heshtin. Ndoshta përgjegjësia e këtyre është më e madhe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button