BDI del me premtime të vjetra në platforma të reja!

Ndër projektet e shumta që BDI i ka ‘trashëguar’ nga njëra platformë në tjetrën, janë edhe zonat teknologjike industriale zhvillimore.

Theks të veçantë në platformat zgjedhore të BDI-së si të vitit 2011 ashtu edhe të vitit 2014 i jepen zhvillimit të Zonave industriale në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë, edhe pse asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar.

Kështu në platformën zgjedhore të vitit 2011, BDI kishte premtuar përfundimin e këtyre tre zonave industriale si kyçe për faktorizimin ekonomik të shqiptarëve.

“Në Republikën e Maqedonisë aktualisht janë në procedurë për themelim 11 zona teknologjike industriale, ndër të cilat edhe zonat në Kërçovë dhe në Strugë, të cilat janë në proces të rregullimit të çështjeve pronësore”, theksohet në platformën zgjedhore të BDI-së të vitit 2011.

Ndërkaq tre vite më pas, BDI lavdërohet se ‘është hapur ankandi për të ndërtuar infrastrukturën brenda zonës industriale të Kërçovës’; ndërsa ajo e Strugës akoma nuk është shpallur as si zonë industriale nga ana e qeverisë.

“Gjatë vitit 2013 në Kërçovë u shpall Zona zhvillimore teknologjike industriale. Punimet ndërtimore për rregullimin e brendshëm të zonës në Kërçovë kanë filluar në vitin 2013. Është hapur ankandi për të ndërtuar infrastrukturën brenda zonës dhe në buxhetin e vitit 2014 janë ndarë 145 milionë denarë”

Në qytetin e Strugës është në vijim e sipër shpallja e zonës zhvillimore teknologjike industriale nga ana e qeverisë. Për zhvillimin e zonës janë ndarë 90 milionë denarë në buxhetin e vitit 2014 dhe ankandi për të ndërtuar infrastrukturën brenda zonës do të hapet gjatë këtij viti”, qëndron në platformën zgjedhore të BDI-së të vitit 2014.

Nga ana tjetër Zona teknologjike industriale e Tetovës e cila përfundimisht filloi të ndërtohet rreth 5 muaj më parë, edhe pse e themeluar në vitin 2010, akoma pritet të realizohen parashikimet për siç theksohet tek të dyja programet:

“Për Bashkimin Demokratik për Integrim vazhdon të ngelet prioritet Zona teknologjike industriale e Tetovës, të cilën e themeluam më 28 Maj të vitit 2010 dhe parashihet që aty të ndërtohen rreth 25-30 komplekse industriale. Zona Teknologjike Industriale e Tetovës do të menaxhohet përmes modelit të partneritetit publik privat. Me anë të këtij modeli do të mundësohet qe investitorë serioz ndërkombëtarë, me përvojë në menaxhimin e zonave ekonomike, përmes koncesionit dhe partneritetit publik privat, të zhvillojnë zonën ekonomike të Tetovës, duke krijuar ambient më të mirë për tërheqjen e investimeve të tjera, si dhe teknologji më të përparuar. Zhvillimi i zonës ekonomike të Tetovës ka ndikim të drejtpërdrejtë në prosperitetin ekonomik të zonës, si dhe pritet të krijojë rreth 7,000 vende të reja pune për qytetarët e Tetovës dhe më gjerë”, theksohet në programin e BDI-së të vitit 2011.

“Zonën Teknologjike Industriale të Tetovës e themeluam më 28 Maj të vitit 2010 me sipërfaqe prej 94.7 ha. dhe parashihet që aty të ndërtohen rreth 25-30 komplekse industriale. Zona Teknologjike Industriale e Tetovës do të menaxhohet përmes modelit të partneritetit publik privat, me investitorë të huaj dhe vendor sipas ankandit të realizuar në vitin 2013. Zhvillimi i zonës ekonomike të Tetovës ka ndikim të drejtpërdrejtë në prosperitetin ekonomik të zonës, si dhe pritet të krijojë rreth 7,000 vende të reja pune për qytetarët e Tetovës dhe më gjerë. Investimi 7 milionë euro për 7 vjet për të zhvilluar infrastrukturën e zonës. Ndërsa qeveria gjatë kësaj periudhe do të investojë 2.5 milionë euro për infrastrukturën deri te zona”, theksohet në programin e BDI-së të vitit 2014 . /Portalb

      

Lajme të ngjashme

Back to top button