Ahmeti: BDI ka kapacitet të drejtojë çdo institucion shtetëror, nuk kthejmë pas

Bashkimi Demokratik për Integrim në takimin e realizuar në Shkup bëri thirrje sërish për bojkotim të zgjedhjeve presidenciale duke kërkuar mbështetje të idesë që reflekton demokraci në vend.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se ideja për president konsensual do të ndihmojë edhe maqedonasi për të ecur si shtet përpara por edhe do të përmirësojë bashkëjetesën në një shtet multietnik siç është Maqedonia.

“BDI ka hapësirë dhe kapacitet për të drejtuar çdo institucion shtetëror, BDI ka dëshmuar se di të drejtoj, menaxhojë me të gjitha kapacitetet që ka vendi. Kreu i shtetit të zgjidhet nga vullneti i dalë nga dy shumica është ide fisnike, më se njerëzore, dy shumica që kanë legjitimitet dhe bëjnë zgjidhjen më të mirë, sepse ne të gjithë jemi dëshmitar që për 20 vite me radhë është kontestuar gjithmonë për qëllime politike, për qëllime të paarsyeshme, dhe kjo duhet të merr fund. Ne bëjmë ofertë shumë të sinqertë, legale dhe përparimtare, të ulemi të bisedojmë diskutojmë të gjejmë zgjidhje. Ne ua bëjmë me dije që të gjithëve se ne do punojmë deri në realizim e plotë të kësaj platforme qe kemi vendos për zgjidhje, ne nuk do bëjmë asnjë hap pas sepse vlerësojmë dhe jemi të bindur që çdo zgjidhje konsensuale është zgjidhje përparimtare, shumë më demokratike, më me vlerë që afron dhe bashkon qytetarët”, tha Ahmeti.

Kandidatja për deputete Ermira Mehmeti theksoi që ka ardhur koha që Maqedonia të ketë president, kryeministër dhe pse jo edhe kryetarë parlamenti shqiptar. 

“Ka ardhur koha që në Maqedoni një shqiptar të bëhet president,ndoshta edhe jemi vonuar pak, që Maqedonia të ketë edhe një kryeministër shqiptar, të ketë edhe një kryetar parlamenti shqiptarë, pse jo! Maqedonia është edhe shtet i shqiptarëve dhe këtu qëndron arsyeja se pse kërkuam kandidat konsensual, ne mendojmë se shumë shpejtë do të arrimë të ndryshojmë kushtetutën dhe mënyrën se si zgjidhet presidenti” tha Mehmeti, duke theksuar se “BDI nuk do të votojë kandidat të njëanshëm për president, ju mund të këmbëngulni sa të doni, mund të bëni fushata sa të doni. Presidenti konsensual nuk është reklamë e përkthyer shqip, një bilbord i përkthyer shqip, nuk është një çerek fjali me një qind gabime në shqip, por është një president që mbron të gjithë qytetarët njëlloj”.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti theksoi se kësaj radhe diaspora është më e aktivizuar se kurrë për të dalë në votime, dhe thotë se kandidati shqiptar për president nuk bën gjë tjetër veq se legjitimon kandidatët maqedonas. 

“Misioni i radhës ishte të organizojmë diasporën shqiptare, sepse ajo ndihmoi edhe Kërçovën të ju rikthehet shqiptarëve, me një kryetar shqiptarë. Ne nuk jemi mësuar të humbim ne kur hymë në misione duam të dalim fitues, pa marrë parasysh se me kë ballafaqohemi. Nuk i kuptoj se si partitë që nuk mund të fitojnë në Maqedoni dalin me kandidat për diasporën, vetëm për të ndal BDI-në, por kjo nuk do të ketë sukses. Presidenti konsensual është një porosi deri te pala maqedonase se shqiptarët nuk durojnë president e as një institucion që është i njëanshëm. Në Maqedoni  duhet të jemi të barabartë se ndryshe nuk bëhet dhe ata të tjerët sërish kur takohen në restorantet e Shkupit dhe kur të marrin urdhra nga të tjerët, dalin me kandidat i cili nuk ka gjasa për të fituar, atë e dinë edhe vet, por kanë dalë me të vetmin qellim që ta legjitimojnë Ivanovin që të legjitimon procesin antiqeveritar. Ne s’do të bojkotojmë vetëm zgjedhjet presidenciale, por do bojkotojmë çdo institucion që është i një anshëm”, tha Mexhiti.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button