Myftaraj: Projekti për Radikën është projekt për spastrim etnik të shqiptarëve

Intervistë me autorin dhe publicistin e mirënjohur nga Tirana, Kastriot Myftaraj rreth çështjes së lumit Radikë.

Portalb: Tanimë te gjithë e dimë problematikën e çështjes se devijimit te lumenjve,a mendoni se është projekt politik për përfitim te Qeverise së Maqedonisë, apo diçka tjetër?

K. Myftaraj: Mjaft që t’ i hedhësh një sy hartës së Maqedonisë, edhe pa qenë specialist i projekteve të tilla dhe e kupton se ka një prirje selektive, ashtu që të tilla projekte të zbatohen vetëm në tokat e banuara më së shumti me popullsi shqiptare. Kjo do të thotë se fjala është për një projekt kinse hidroelektrik, por që në realitet do t’ i shërbejë agjendës së fshehtë për spastrimin etnik të butë, të shqiptarëve të Maqedonisë. 
Gjatë Historisë botërore, mungesa e befasishme e ujit është bërë shkak për zhvendosje masive të popullsisë, më tepër se luftërat. Në këtë rast kemi të bëjmë me një mungesë eventuale të befasishme uji, që shkaktohet nga dora e njeriut, nga vetë shteti. Pra, për nga pasojat eventuale, kemi të bëjmë me barasvlerësin e luftës. Është e lehtë që të shpërfillet kjo mënyrë të menduari si një teori konspiracioni! Por faktet mbeten në fuqi, pavarësisht këtij etiketimi. Dihet se në Maqedoni pati shqetësim të madh kur pas censusit që u mbajt 12 vite më parë doli se rreth gjysma e fëmijëve të lindur në Maqedoni në atë kohë, të moshës 0-4 vjeç (pra të lindur mes viteve 1998-2002) qenë të religjionit islam. Dhe kjo prirje pritej që të thellohej në të ardhmen. 
Sot, 12 vite më pas, nuk ka shifra për rrjedhën e këtij trendi, për arsye që dihen, por të gjitha gjasat janë se sot më shumë se gjysma e fëmijëve që lindin në Maqedoni janë të besimit islam. Do të ishte naivitet i madh që të mendohej se ata që ndërtuan qendrën historike të Shkupit, si një megamonument  të Maqedonisë së krishterë nuk do të shqetësohen nga fakti që, në 50-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në 2041, Maqedonia do të jetë një vend ku pjesa më e madhe e popullsisë do të jetë myslimane! Prandaj ata mendojnë mënyra për të bërë një spastrim etnik të butë dhe devijimi i rrjedhës së Lumit Radika është njëra prej tyre.
Vetë projekti, i cili është i lidhur me projektin e shndërrimit të Vardarit në një lumë të lundrueshëm, është një luks për një vend të vogël dhe të varfër, si Maqedonia, është një luks i ngjashëm me projektin e qendrës së Shkupit. Në vende si Maqedonia ato bëhen edhe në funksion të një projekti politik që është një përditësim i atij që njihet në shkencat politike si despotizëm hidraulik. Ky siç dihet është një model që më së pari u aplikua në Lashtësi, në shoqëritë agrare të Lindjes së Mesme. Sundimtarët ndërmerrnin zbatimin e projekteve të mëdha hidraulike, si kanale ujitëse, diga etj., me synim që të kontrollonin më mirë shoqëritë e tyre. Maqedonia është shumë pranë shndërrimit në një despotizëm hidraulik modern me Gruevskin si despot hidraulik në version modern. Këtë e them për faktin se Gruevski e ka shumë për zemër projektin e kanalit Vardar-Moravë-Danub, që pritet të ndërtohet me investime kineze. Vardari i lundrueshëm, me të cilin mund të lundrohet përgjatë gjithë gjatësisë së Danubit duke u nisur nga Deti Egje dhe anasjelltas, është oferta e Gruevskit për ta kyçur Maqedoninë në turizmin ndërkombëtar, në mungesë të një daljeje në det nga ana e Maqedonisë. Çdo gjë varet nga zgjedhjet e ardhshme. Nëse fiton Gruevski për herë të katërt, ai do të bëhet një Putin në version ballkanas, që e përdor ujin ashtu siç e përdor Putini naftën. 

Portalb: Opinioni juaj për qeverinë Rama, a mendoni se ai nuk duhet ti japë drite jeshile këtij projekti, dhe se ne këtë mënyrë mund te ndalohet ky projekt?

K.Myftaraj: Qeveria “Rama” ashtu si të gjitha qeveritë paraardhëse të Shqipërisë, ka një obsesion gjeopolitik, të cilin ia kanë ngulitur ndërkombëtarët, që të ketë kujdes të veçantë për të mos cenuar stabilitetin e shtetit të brishtë të Maqedonisë. Dhe qeveritë e Shqipërisë tregohen të mbizellshme për t’ i përmbushur këshilla të tilla. Arsyeja kuptohet lehtë, ata nuk duan që të humbin dashamirësinë e ndërkombëtarëve për shkaqe që kanë të bëjnë me gjëra që ndodhin jashtë kufijve të Shqipërisë. Nga kjo gjë përfiton Maqedonia për të vepruar si të dojë. 
Duke e ditur Qeveria “Rama” se sa të ndjeshëm janë ndërkombëtarët ndaj çdo gjëje që prek sadopak stabilitetin e Maqedonisë, as që do të marrë mundimin t’ ua shpjegojë të këqijat që vijnë nga projekti i devijimit të lumenjve për Shqipërinë. Nuk është çudi që disa burokratë në kancelaritë e kryeqyteteve perëndimore, ta shohin këtë si një çmim që duhet të paguajë Shqipëria për stabilitetin e Maqedonisë. Të tilla projekte si ky maqedon për devijimin e rrjedhës së lumenjve, mund të kenë dëshirë që t’ i bëjë edhe Shqipëria, dhe gjithmonë gjendet financim i huaj për projekte të tilla nëse jepen me kushte koncesionare të favorshme. 
Maqedonia do të hiqte dorë brenda ditës nga projekti për devijimin e rrjedhës së lumenjve nëse Shqipëria do të shpallte ofertën për një koncesion që të bëhej Lumi Shkumbin i lundrueshëm duke u marrë me anë të një tuneli uji i Liqenit të Ohrit. Saora do të vinte në Tiranë, kryeministri maqedon dhe do të kërkonte ndalimin e këtij projekti. Atëherë kjo do të kushtëzohej me ndalimin e projektit për devijimin e rrjedhës së Radikës. Qeveria “Rama” do të vihet në një pozitë shumë delikate nëse shkallëzohen protestat në dy anët e kufirit, se do të shihet që qeveria e Tiranës dhe ajo e Shkupit përdorin Policinë dhe eventualisht Ushtrinë në dy anët e kufirit kundër shqiptarëve që kërkojnë të mbrojnë burimet ujore, dhe se e gjithë kjo bëhet në dobi të Maqedonisë, ose më saktë të sllavo-maqedonëve. 

Portalb: Protestat vazhdojnë matanë kufirit dhe këndej ne Maqedoni, sipas mendimit tuaj , populli dibran do fitoje ne këtë mënyrë? 

K.Myftaraj: Ky nuk është vetëm problem i popullit dibran, në dy anët e kufirit, në Dibër të Madhe dhe në Dibër të Vogël, por i krejt shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë dhe në Maqedoni. Më së pari është një problem i krejt shqiptarëve të Maqedonisë, se projekti është qartësisht pjesë e një agjende për spastrim etnik. Nuk ka ndodhur vetëm në Ballkan, që në konfliktet për rrjedhat e ujit ka rrjedhur shumë gjak i derdhur për to. 
Edhe tetovari dhe shkupjani shqiptar duhet ta shohin devijimin e Radikës si një gjë jetike për ta. Se qëllimi i vërtetë në këtë projekt nuk është uji por gjaku, pra devijimi i gjakut shqiptar në Maqedoni jashtë këtij shteti. Sa për atë se kush do të fitojë në këtë ballafaqim për ujin, unë mund të them se kur njeriu çohet për të mbrojtur ujin, çfarëdo gjëje që të bëjë nuk mund ta quash dot terrorist, të tilla fjalë nuk kanë vlerë.
Nëse ka vendosmëri të dyanshme, pra nga shqiptarët në dy anët e kufirit, jo vetëm që do të shpëtohet Radika, por do të kthehen në rrjedhën natyrore edhe ato burime ujore që na janë marrë.

Portalb: Projekti “Fusha e Lukovës” ka ndonjë lidhje politike edhe me Serbinë?Nëse ka çka duhet te ndërmerret? 
K.Myftaraj: Projekti ka qartësisht lidhje me Serbinë, se ai është pjesë e një projekti të madh të përbashkët të tre shteteve, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë për ndërtimin e kanalit Vardar-Moravë-Danub. Që të zbatohet ky projekt duhet që lumenjtë Vardar dhe Moravë të bëhen të lundrueshëm, dhe parakushti për këtë është që të rriten prurjet në këta lumenj. Ky megaprojekt që është një financim kinez, do të krijojë detyrimisht edhe një realitet gjeopolitik, një lloj boshti të tre vendeve. Kanali e bën Maqedoninë më të varur nga Greqia dhe Serbia për transportin e saj dhe dihet se transporti ujor është ai me kosto më të lirë. Sa për atë se çfarë duhet të ndërmerret me rastin e krijimit të këtij realiteti gjeopolitik, sot për sot duhet të vëzhgohet me vëmendje, dhe me nisjen e punës për ndërtimin e kanalit, shqiptarët e Maqedonisë duhet ta bëjnë të qartë se ky devijim gjeopolitik është i papranueshëm për ta, dhe se nuk e  ndjejnë më veten të obliguar për ekzistencën e shtetit maqedon.

Portalb: Mesazhi juaj për dibranet, të kenë shpresa se nuk do te realizohet ky projekt?
K.Myftaraj: Në të vërtetë, unë që nga Tirana do të doja të pyesja dibranët, në dy anët e kufirit, nëse do të realizohet ky projekti i devijimit të Radikës, ose jo. Se fati i Radikës varet para së gjithash nga vendosmëria e tyre për të mbrojtur burimet ekzistenciale të jetesës. Pasi të tregojnë ata vendosmëri, nis obligimi i ne të tjerëve për t’ i mbështetur. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button