Merkeli i lë kohë vetes

Merkel IV? Mediet gjermane tregohen nervoze. A do të kandidojë Angela Merkel edhe njëherë për kancelare apo jo? Një përgjigje e qartë është e vështirë për shkak të shumë pasigurive politike, mendon Kay-Alexander Scholz, shkruan DW.

Deutschland Kanzlerin Merkel

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare situata ishte krejt ndryshe. Angela Merkel deklaroi që dy vera më parë se nuk mendon të largohet nga Zyra Kancelarore. Tani në Gjermani pushimet verore thuajse kanë mbaruar. Dhe gjermanët ende nuk e dinë nëse Merkeli do të kandidojë. Pra Merkeli e bën interesante çështjen e kandidimit të saj. Po ajo nuk ka si të veprojë ndryshe. Sepse në vitin 2011 bota në Gjermani ishte ende në rregull. Krizat e atëhershme ishin ende shumë larg – në shtete të tjera të BE. Merkeli ishte shumë e preferuar në popull. Në fushatën elektorale u diskutua vetëm për personin e saj.

Kriza e refugjatëve para një viti i ndryshoi të gjitha. Njerëzit janë të ndarë në vlerësimet e tyre, gjysma vazhdon ta vlerësojë edhe më tej kancelaren. Gjysma tjetër ose e kritikon ose e refuzon Kancelaren. Shumë në partinë e saj, CDU janë të zemëruar ose kanë kaluar fare te partia populiste Aleanca për Gjermaninë (AfD).

Partnerja CSU ende e pasigurtë

Prandaj këtë herë Merkelit i duhet veçanërisht mbështetja e partisë së saj simotër, CSU-së bavareze. Por këtë parti Merkeli e ka zemëruar me politikën e saj ndaj refugjatëve në një mënyrë të tillë, sa udhëheqja e CSU-së kërcënon me një kandidat të vetin. Kryetari i CSU-së, Seehofer sidoqoftë aktualisht ende po pret dhe nuk pranon t’ia japë mbështetjen Merkelit. Sepse ai akoma nuk e di, nëse në garën për në Zyrën Kancelarore duhet të mbështetet në kalin Merkel apo jo. Situata e përgjithshme politike thjesht është e shumë e pasigurtë.

E pashqiptuar, por e pranishme mbetet për shembull pyetja: a do të mbetet situata e terrorit kaq e qetë sa është tani, apo edhe në Gjermani do të ketë atentate – ndoshta me autor edhe ndonjë refugjat të pranuar në Gjermani? Klima pas atentateve të korrikut tregoi se sa fort mund të zbresin për Merkelin dhe CDU-në vlerat në anketime në situata të tilla.

Së shpejti – në shtator – do të mbahen edhe dy zgjedhje për parlamente landesh. Pikërisht në landin nga vjen Merkeli, në Mecklenburg-Forpomerani, AfD ndoshta mund të bëhet partia më e fortë. Kjo do të ishte katastrofë për Merkelin dhe CDU-në.

 Kay-Alexander Scholz
Kay-Alexander Scholz

E pasigurtë është edhe si do të zhvillohen më tej shifrat e refugjatëve. Parashikimet më të fundit flasin për “vetëm” 300.000 refugjatë në vitin 2016. Pra shumë më pak se një milionë vetët e vitit të kaluar, që erdhën në Gjermani. Por nëse marrëveshja midis BE dhe Turqisë nis të lëkundet, presioni i migrimit mund të rritet sërish.

Afati: kongresi i partisë në dhjetor

Nëse javët dhe muajt e ardhshëm në këndvështrimin e CDU-së do të mbeten të qeta, atëherë një kandidaturë të re të Merkelit nuk e pengon asgjë. Pasardhës që po bëhet gati për të ardhur në pushtet nuk ka. Në shumë çështje evropiane, që nga kriza e Ukrainës deri tek Brexit Merkeli ndërkohë është një pikë orientimi. Edhe ajo vetë mendon kështu dhe deri tani nuk tregon thuajse fare shenja lodhjeje.

Por në planin kohor ka një afat, të cilin Merkeli nuk e harron. Në dhjetor, CDU-ja ka kongresin e saj të përvitshëm. Merkeli dëshiron të qendrojë edhe dy vjet të tjera kryetare partie, u bë e ditur paraprakisht nga Berlini. Në këtë kuadër ajo duhet t’i japë përgjigje edhe pyetjes së kandidaturës së re për Kancelare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button