Bechtel & Enka do ta ndërtojë autostradën për Shkup

Pas përfundimit të Rrugës së Kombit, e cila lidhi Kosovën me Shqipërinë, konsorciumi amerikano – turk Bechtel & Enka, do të niset edhe në drejtim të Shkupit për ta lidhur Prishtinën dhe Shkupin me autostradë. Kjo është bërë e ditur të martën pas mbledhjes së komitetit ndërministrorë për ketë autostradë. Ky konsorcium për t’i kryer këto punime ka ofruar shumën prej 599.944.263,54 eurosh

Autostrada Prishtinë – Shkupë do të ndërtohet në një kohë prej 42 muajve pas nënshkrimit të kontratës.

Komiteti Drejtues Ndërministror për ndërtimin e Autostradës “Prishtinë-Hani i Elezit”, përkatësisht Rrugës 6, ka njoftuar se sipas vlerësimit tekniko-financiar të ofertave të konsorciunmeve pjesëmarrëse në garë, Konsorciumi “Bechtel & Enka” është renditur në vendin e parë me ofertën financiare prej 599.944.263,54 eurosh, ndërsa Konsiorciumi i “Cooperativa Muratori and Cementisti, C.M.C. di Ravenna & Dogus (CD)”, është renditur i dyti me ofertën financiare prej 756.060.580,11 eurosh.

“Komiteti ndërministror pas shqyrtimit dhe diskutimit të hollësishëm të Raportit në përfundim të takimit me unanimitet e miratoi raportin e Komisionit vlerësues, vendimi i sotëm vjen pas një procesi të gjatë të vlerësimit nga ekspertët e ministrive të linjë lidhur me operatorët ekonomikë pjesëmarrës në procedurën tenderuese, të cilët ofertat e tyre i dorëzuan më 11 tetor 2013”, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës.

Raporti i aprovuar është produkt i punës së bërë nga Komisioni në përbërje të ekspertëve nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Energjisë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Financave të mbështetur nga Këshilltari i Transaksionit.

Kohëzgjatja e ndërtimit të Rrugës 6 është planifikuar të zgjasë 42 muaj nga nënshkrimi i kontratës. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button