Serbët sulmojnë shtëpitë e shqiptarëve

Persona të panjohur kanë thyer mbrëmë gjatë natës xhamat dhe dyert e dy shtëpive shqiptare në ‘Kroin e Vitakut’, në veri të Mitrovicës. Shtëpitë ishin të pabanuara akoma për shkak të mos përfundimit të punimeve, ndërsa, pronarët e këtyre shtëpive dyshojnë se këtë e kanë bërë fqinjët e tyre serbë.

Selajtin Haliti, pronar i njërës nga shtëpitë e thyera, tha për Kosovapress se këto janë akte të fqinjëve serbë, por edhe të strukturave ilegale serbe, që kanë për qëllim frikësimin e banorëve shqiptarë.

Sipas tij, banorët që janë duke jetuar në Kroin e Vitakut janë të shqetësuar, meqë këto raste janë duke u bërë me qëllim të pengimit të procesit të rindërtimit. “Janë akte për të frikësuar ata që jetojnë aty dhe ata që duan të kthehen”, ka thënë Haliti.

Ai ka akuzuar edhe pjesëtarët e policisë të stacionit veri, të cilët kujdestarojnë 24 orë në kontejnerin që ndodhet vetëm 10 metra larg shtëpisë së tij.

“Jam i dëshpëruar sidomos në Policinë e Kosovës, që pothuajse në praninë e tyre po ndodhin raste të tilla për të satën herë, dhe asnjëherë deri tani nuk kanë identifikuar autorët e këtyre akteve”, theksoi Haliti.

Erxhan Vitaku, po ashtu, pronar i njërës nga shtëpitë e dëmtuara, ka kërkuar nga strukturat e sigurisë të jenë më të vëmendshme, në mënyrë që të mos lejohen këto raste.

“Kërkoi që të identifikohen dhe arrestohen sa më parë personat që janë duke vazhduar të sfidojnë rendin dhe ligjin në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë për Kosovapress, Vitaku.

Ndryshe, Kosovapress ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës, në veri, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button