fbpx

АNALIZË: Ku janë paratë buxhetore për gjyqësinë dhe komunat?

Më pak para për pushtetin gjyqësor se sa që është planifikuar. Për një vit – shpenzimet qeveritare janë rritur për 20,1%. Ka mungesë të planeve strategjike dhe të planeve për vendet e sistematizuara dhe të plotësura të punës, si dhe të planeve për furnizime publike te një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë. Këto janë një pjesë e konstatimeve të revizorit shtetëror të shënuara në “Raportin përfundimtar të revizorit të autorizuar shtetëror – Buxheti themelor për vitin 2015”, shkruan Portalb.mk, në analizën më të re ekonomike.

“Planifikimi dhe ekzekutimi i Buxhetit themelor për vitin 2015 është përgjegjësi e udhëheqësisë së subjektit të përfaqësuar nga Zoran Stavreski, nënkryetar i qeverisë dhe ministër për financa” – thuhet në raportin revizor.

Për pushtetin gjyqësor – më pak para…

Një pjesë e madhe e raportit revizor i është kushtuar parave buxhetore, të cilat është dashur, mirëpo nuk kanë përfunduar për pushtetin gjyqësor.

“Konstatuam se me dinamikën e përcaktuar të miratimit të mjeteve në kuadër të buxhetit të pushtetit gjyqësor, nuk është arritur niveli i përcaktuar me ligj i buxhetit që është paraparë për pushtetin gjyqësor në lartësi prej 0,8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto” – konstaton revizori.

Kështu, në vitin 2012 për pushtetin gjyqësor është dashur të ndahen mjete në lartësi prej 0,5%, ndërsa realizimi ka qenë 0,45%. Dështim ka pasur edhe në vitin 2013, kur në vend të 0,6% janë ndarë 0,39%. Në vitin 2014 për pushtetin gjyqësor kanë qenë të nevojshme 0,7% e PBB-së, mirëpo janë realizuar 0,41%. E ngjashme ka qenë situata edhe në vitin 2015, kur obligimi ka qenë që të ndahen së paku 0,8% e PBB-së, mirëpo janë ndarë vetëm 0,38%.

“Mënyra e këtillë e planifikimit dhe e financimit të pushtetit gjyqësor krijon rrezik për sigurim të plotë të financimit stabil, afatgjatë, të barabartë dhe adekuat të pushtetit gjyqësor” – thekson revizori dhe rekomandon:

“Ministria për Financa në bashkëpunim me institucionet kompetente dhe Këshillin buxhetor gjyqësor të ndërmarrin aktivitete për sigurimin e mjeteve në buxhetin e pushtetit gjyqësor, në lartësi që është e përcaktuar me dispozitat e Ligjit për buxhtetin gjyqësor”, transmeton Portalb.mk.

Poashtu, në bazë të rregullativës, buxheti për pushtetin gjyqësor, sipas revizorit nuk mund të zvogëlohet edhe atëherë kur bëhet rebalanci i buxhetit.

Si janë miratuar dokumentet strategjike…

Strategjia fiskale, si një nga dokumentet strategjike për buxhetin dhe prognozat ekonomike, sipas revizorit është miratuar me vonesë. Kështu, afati për miratimin e këtij dokumenti ka qenë 31 maji i vitit 2014, ndërsa ai është miratuar pesë muaj më vonë, më 3 tetor 2014. Vonesë të ngjashme ka edhe për “Vendimin për prioritetet strategjike për vitin e ardhshëm”, edhe atë për vitin 2015, me ç’rast përkundër afatit të paraparë për miratimin e këtij dokumenti më 15 prill, ai është miratuar më 9 shtator.

Edhe në këtë raport të revizionit janë konstatuar dobësi të caktuara te shfrytëzuesit buxhetorë.

“Një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë nuk kanë dorëzuar plane strategjike trevjeçare, të cilat janë bazë për përgatitjen e buxhetit” – thuhet në raporti e revizorëve, ku potencohet edhe vërejtja për mënyrën e sistematizimit të vendeve të punës dhe për furnizimet publike.

“Plani i vendeve të sistematizuara dhe të plotësuara të punës të shfrytëzuesve buxhetorë, si dhe plani për furnizimet publike, nuk janë dorëzuar nga një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë” – thuhet në raportin e revizionit dhe më pas përmenden rreziqet:

“Me dorëzimin e kërkesave jo të plota buxhetore, shfrytëzuesit buxhetorë ballafaqohen me rrezik që buxheti i miratuar nga ana e Ministrisë për Financa të mos jetë në përputhje me nevojat e tyre reale për realizimin e qëllimeve të përcaktuara.”

Menaxhimi dhe ekzekutimi i buxhetit të vitit 2015, në pjesën e planifikimit dhe ekzekutimit të shpenzimeve dhe të dalave të tjera dhe planifikimi dhe ekzekutimi i të hyrave, sipas revizorit, në pjesën më të madhe kanë qenë në përputhje me shumat e përcaktuara në kuadër të buxheteve të miratuara të shfrytëzuesve të caktuar buxhetorë, përveç në pjesën e transfereve deri te njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe mjeteve në kuadër të buxhetit për pushtetin gjyqësor, përcjellë Portalb.mk.

Revizori ka konstatuar se në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014, shpenzimet janë rritur për 20,11 %, ndërsa në krahasim me vitin 2013, rritja ka qenë 20%. Kështu, sa i përket vitit 2014, shpenzimet për “rezerva dhe harxhime të padefinuara” janë rritur për 401,5%, ndërsa për rroga dhe kompensime për 6,93%. Rritje të shpenzimeve ka edhe për kamatat dhe pagesën e kryegjësë për shkak të borxheve.

Vitin e kaluar, revizioni shtetëror ka konstatuar se investimet kapitale janë zvogëluar për 3,02 për qind në krahasim me vitin 2014, ndërsa zvogëlimi në krahasim me vitin 2013 ka qenë 4,69%.

Përgjigja e Ministrisë për Financa…

Ministria për Financa ka dorëzuar vërejtje në lidhje me raportin revizor.

“Nga ana e personit udhëheqës në Ministrinë për Financa janë pranuar vërejtje për Propozim-raportin e revizorit shtetëror, ato janë shqyrtuar dhe është konstatuar se paraqesin njoftim për gjendjet e konstatuara, një pjesë pranohen pjesërisht, ndërsa një pjesë nuk pranohen” – thuhet në njoftimin e revizionit.

Nga shtatë rekomandimet e dhëna pas revizionit në vitin 2014, sipas revizorit, është konstatuar se katër rekomandime janë duke u realizuar, njëri është realizuar në tërësi, ndërsa dy rekomandime nuk janë zbatuar.

Me këtë raport të revizionit është bërë revizion i Buxhetit themelor për vitin 2015, mirëpo është përfshirë edhe zbatimi i rekomandimeve të dhëna në Raportin përfundimtar të revizorit të autorizuar shtetëror për vitin 2014.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close