SHBA, Sela takime me senator e kongresmenë

Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela po qëndron për një vizitë në SHBA, i ftuar nga komuniteti shqiptar atje. Ai fillimisht ka zbritur në qytetin e Waterbury në shtetin e Connecticut, ku është takuar me komunitetin shqiptar të këtij shteti, por edhe me kongresmenë e senatorë amerikan. Sela ka pasur rastin të takoj edhe kryetarin e qytetit Waterbury, ku është theksuar arritja e një marrëveshje të bashkëpunimit.

Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela takoi dy senatorët amerikanë përfaqësues të këtij shteti në Senatin e SHBA-ve, Richard Blumenthal dhe Chris Murphy, me të cilat ka diskutuar për tema të përgjithshme dhe zhvillimet në Maqedoni dhe qeverisjen lokale në komunën e Strugës. Gjithashtu kryetari Sela ka pasur rastin që të falënderoj dy senatorët për gjithçka që SHBA kanë bërë për shqiptarët.

Në takimin mes kryetarit të Waterburyt Neil O Leary, dhe kryetarit të komunës së Strugës, Ziadin Sela, është diskutuar mundësia e intensifikimit të marrëdhënieve mes komunës së Strugës dhe qytetit të Waterburyt, sidomos ato në fushën e ekonomisë dhe të kulturës, ndërmjet këtij komuniteti i cili përbëhet më së shumti nga struganët.

Bashkëbiseduesit, duke shfrytëzuar këtë rast, vlerësuan praninë e komunitetit shqiptar në SHBA, si një komunitet i mirë-integruar në shoqërinë amerikane. Më tej, ata propozuan një binjakëzim të qytetit të Strugës dhe Waterburyt.

Kryetari i Strugës ishte pjesë e një takimi të komunitetit shqiptar “Hasan Prishtina” në Waterbury ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i ri shqiptar në SHBA, Gilbert Galanxhi, konsulli i përgjithshëm i Kosovës, Bekim Sejdiu si dhe mysafirë të tjerë. Nikoqiri i këtij takimi Visar Tasimi , arkatari për AAMC – e cila është një nga organizatat e komunitetit shqiptar në Waterbury , udhëhoqi takimin si dhe dha një falenderim të veçantë për zëdhënësin Sean Scanlon nga zyra e senatorit Murphy, për koordinimin e këtij takimi me komunitetin shqiptar. 

Lajme të ngjashme

Back to top button