Çfarë mund të sjellin zgjedhjet e parakohshme?

Në kohën kur në opinion gjithnjë e më zëshëm flitet për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, analistët politikë vlerësojnë se organizimi i tyre do të ndikonte negativisht në të gjitha proceset politike në vend.

Analisti politik Zdravko Saveski vlerëson se mesazhi kryesor që dërgon pushteti është paaftësia e saj për të siguruar zgjedhje të rregullta. Megjithatë sipas tij e rëndësisë së veçantë është ndryshimi  i dispozitave ligjore që lënë mundësi për paraqiten e parregullsive në procesin zgjedhor dhe në sigurimi i një klime për një garë të drejtë politike dhe zgjedhje sipas standardeve.

“Këto janë çështjet kryesore për të cilat duhet të mbajë llogari pushteti dhe jo me çdo çmim të organizojë zgjedhje të parakohshme parlamentare për të dëshmuar se kush më shumë apo kush më pak frikësohet nga zgjedhje e parakohshme” vlerëson për Portalb, Saveski.

Sipas tij madje organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të ishin të tretat me radhë janë në kundërshtim me parimet e një demokracie parlamentare.

Nga ana tjetër analisti Albert Musliu thekson se edhe megjithëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka pak mundësi të organizohen së bashku me ato Presidenciale në muajin mars,për shkak të kundërshtimit nga ana e partnerit në koalicion BDI-së, sërish mbetet i hapur opsioni që ato të zhvillohen në qershor apo në vjeshtë.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale besoj se do të jenë të dëmshme sepse realisht sipas analizave të agjencive të rejtingut nuk do të ketë ndryshimë në strukturën qeverisëse”, vlerëson për Portalb, Musliu.

Sipas Musliut madje ndikimet negative do t’i pësonte edhe procesi i integrimeve evropiane të vendit, i cili edhe aktualisht gjendet në qorr sokak.

“Proceset euro-integruese janë në një fazë shumë të paqartë. Kjo u dëshmua edhe në bazë të raportit të progresit të Komisionit Evropian, dhe nga vendimi i Këshillit të BE-së që data për çeljen e negociatave të shqyrtohen vetëm nëse vendi bën ndryshime të mëdha për sa i përket përmbushjes së obligimeve. Nga ana tjetër nga deklaratat e fundit që erdhën nga Brukseli se rruga evropiane e vendit është e kushtëzuar  nga negociatat për çështjen e emrit, më bëjnë të konstatoj proceset euro-integruese janë të bllokuara”, theksoi Albert Musliu, analist.

Prandaj siç vlerëson Musliu, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të ishin të dobishme vetëm nëse ofrojnë vizion ose mundësi  për ndonjë ndryshim më të madh në drejtim të ndryshimit të fuqisë së  brendshme të strukturave udhëheqëse.

Brukseli por edhe institucionet e tjera ndërkombëtare insistojnë që përpara zgjedhjeve të ardhshme të miratohen ndryshimet në Kodin zgjedhor të cilat do të garantonin një garë të drejtë politike./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button